Komuna e Ferizajt miraton buxhetin mbi 56 milionë euro për 2027, mbi 15 milionë euro për investime kapitale – LDK dhe VV lëshojnë sallën

Kuvendi Komunal i Ferizajt ka miratuar buxhetin e Komunës për vitin 2027, në vlerë totale prej 56,102,329 eurosh. Sipas projektbuxhetit të prezantuar në seancën e rregullt të Kuvendit Komunal, për investime kapitale në vitin 2027 janë planifikuar 15,350,388 euro. Në mbledhje morën pjesë kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Xhavit Zariqi, si…

Lajme

30/09/2026 14:15

Kuvendi Komunal i Ferizajt ka miratuar buxhetin e Komunës për vitin 2027, në vlerë totale prej 56,102,329 eurosh.

Sipas projektbuxhetit të prezantuar në seancën e rregullt të Kuvendit Komunal, për investime kapitale në vitin 2027 janë planifikuar 15,350,388 euro.

Në mbledhje morën pjesë kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Xhavit Zariqi, si dhe drejtorët e drejtorive komunale.

Gjatë prezantimit të buxhetit, Aliu tha se dokumenti paraqet, sipas tij, vizionin e qeverisjes lokale për zhvillimin e Ferizajt dhe përfshin projekte në fusha të ndryshme.

“Buxheti i Komunës së Ferizajt për vitin 2027 arrin lartësinë në vlerën totale 56,102,329.00, e që, ndarë vetëm në fushën e investimeve kapitale, kemi 15,350,388 për projektet kapitale të Komunës së Ferizajt për vitin kalendarik 2027”, tha Aliu.

Ai përmendi një varg projektesh që janë përfshirë në planifikimin buxhetor, përfshirë zgjerimin e Parkut të Lirisë, Parkun e Ri të Qytetit dhe ndërtimin e Bulevardit të Rinisë.

Në fushën e infrastrukturës rrugore, sipas Aliut, parashihet ndërtimi i sheshit nga rruga “Madeleine Albright” deri te Teatri i Qytetit, si dhe vazhdimi i projektit për Unazën e Brendshme të Ferizajt.

Në buxhet janë paraparë edhe projekte për lidhjen e zonës urbane me atë rurale, përfshirë rrugët Naim Beka–Epopeja e Jezercit, Manastirc–Pleshinë, Zaskok–Ferizaj, Varosh–Gurëz dhe Prelez i Jerlive–Prelez i Muhaxherëve, si dhe projekte të asfaltimit në fshatra të ndryshme.

Aliu tha se investime janë planifikuar edhe në ujësjellës dhe kanalizim.

Në sektorin e shëndetësisë, ai përmendi ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, QMF-së numër 12, si dhe qendrave të mjekësisë familjare në Koshare dhe Rakaj. Po ashtu, sipas tij, do të investohet në pajisje mjekësore dhe në fuqizimin e shërbimit të kujdesit paliativ.

Në arsim, planifikimi përfshin ndërtimin e objekteve të reja shkollore në Manastirc, Varosh dhe Tërrn, si dhe investime në hapësira sportive, digjitalizimin e klasave dhe pajisjen e tyre me tabela digjitale.

Ndër projektet e përmendura në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit janë rikonstruktimi i Kompleksit Memorial të Dëshmorëve të UÇK-së në Ferizaj, ndërtimi i Kompleksit Muzeor “Hani i Ferizit”, ndërtimi i Palestrës së Re Sportive në qytet dhe Stadiumit Ndihmës të Futbollit në Sazli.

Në seancë, Kuvendi Komunal diskutoi edhe çështje të tjera, përfshirë raportin për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, i cili u miratua njëzëri.

Po ashtu, u diskutua Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për efikasitetin dhe efektivitetin në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Ferizajt, si dhe propozimet për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave.

Në fillim të seancës, përfaqësuesit e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Azemi dhe Brahim Osmani, kërkuan ndryshimin e rendit të ditës. Kërkesa e tyre nuk u miratua, pas së cilës anëtarët e këtyre dy subjekteve lëshuan sallën.

Ndërkaq, anëtarët e LDK-së nuk morën pjesë as në votimin e deklaratës së Kuvendit lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës.