​Anulohet ekskursioni i maturantëve të Mjekësisë në Mitrovicë, DKA tregon arsyen

Një parregullsi në procesin e përzgjedhjes së ofertave ka bërë që maturantët e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Xheladin Deda” në Mitrovicë të Jugut të mbesin pa ekskursion. Drejtoria Komunale e Arsimit ka anuluar procedurën, me arsyetimin se komisioni nuk i ka zbatuar në përpikëri kriteret e përcaktuara me udhëzimin administrativ. Drejtori i DKA-së në…

Lajme

29/09/2026 19:20

Një parregullsi në procesin e përzgjedhjes së ofertave ka bërë që maturantët e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Xheladin Deda” në Mitrovicë të Jugut të mbesin pa ekskursion. Drejtoria Komunale e Arsimit ka anuluar procedurën, me arsyetimin se komisioni nuk i ka zbatuar në përpikëri kriteret e përcaktuara me udhëzimin administrativ.

Drejtori i DKA-së në Mitrovicë të Jugut, Shefki Begu, ka thënë se vendimi për anulimin e ekskursionit është marrë vetëm për maturantët e kësaj shkolle.

Sipas tij, Komisioni për pranimin e ofertave nga agjencitë e udhëtimit nuk ka vepruar në përputhje të plotë me dispozitat e Udhëzimit Administrativ nr. 02/2016 të MASHT-it për Aktivitetet Jashtëshkollore.

Begu ka thënë se një tjetër element që është marrë parasysh gjatë vendimmarrjes ka qenë fakti se në këtë proces nuk është përzgjedhur oferta më e lirë.

“DKA ka vendosur që ta anulojë ekskursionin për Shkollën e Mesme të Mjekësisë ‘Xheladin Deda’, pasi Komisioni për pranimin e ofertave nga agjencitë e udhëtimit nuk e ka zbatuar në përpikëri Udhëzimin Administrativ nr. 02/2016 për Aktivitetet Jashtëshkollore. Në fund, vlen të theksohet se nuk është përzgjedhur oferta më e lirë”, ka thënë Begu.

I pyetur nëse tre shkollat e tjera të mesme do ta realizojnë ekskursionin, Begu ka thënë se edhe maturantët e Mjekësisë mund ta realizojnë atë, por në një datë tjetër dhe pasi të respektohen kriteret e përcaktuara.

“Po, edhe Mjekësia mundet, por në një datë tjetër. Duhet të respektohen kriteret dhe të përzgjidhet oferta më e lirë”, ka thënë Begu

Ndërkaq, drejtoresha e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Xheladin Deda”, Drita Zaraj Qamili, ka thënë se shkolla nuk është njoftuar paraprakisht për anulimin dhe se edhe ajo është duke kërkuar sqarime për arsyet e vendimit.

“Vendimin na ka dërguar drejtori, më tepër nuk kemi as ne mundësi me dhënë përgjigje. Edhe ne jemi duke e kërkuar arsyen pse. E ka dërguar diçka për rregullsi ligjore, nuk e di saktësisht cila. Nuk është faj i shkollës sonë”, ka thënë ajo.

Zaraj Qamili ka theksuar se shkolla, Këshilli i Prindërve dhe Këshilli i Mësimdhënësve kanë qenë të përfshirë në procesin e organizimit të ekskursionit.

“Parregullsitë ligjore nuk janë nga ana jonë. Kemi qenë prezente me shkollën, drejtorin, me Këshillin e Prindërve dhe Këshillin e Mësimdhënësve, kështu që vendimi është i DKA-së dhe besoj që ata i japin edhe arsyet pse”, ka deklaruar drejtoresha.

Ajo ka thënë se vendimi është pritur keq nga nxënësit dhe prindërit.

“Është lajm i keqpritur nga ana e nxënësve dhe e prindërve, kështu që ne duhet të pajtohemi me vendimin që vjen nga DKA-ja”, ka thënë Zaraj Qamili./KosovaPress/