Kurti paralajmëron 5 diga të reja: Bujqësia duhet të prodhojë më shumë, jo vetëm të mbështetet me subvencione

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës synon të ndërtojë 5 diga të reja dhe të zgjerojë investimet në ujitje, përpunim e magazinim të prodhimeve bujqësore. Ai deklaroi kështu gjatë një fjalimi në konferencën XXII të Rrjetit Evropian për Zhvillimin Rural, të mbajtur në Mitrovicë. Kurti shtoi se mbështetja për fermerët duhet të…

Lajme

29/09/2026 14:43

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës synon të ndërtojë 5 diga të reja dhe të zgjerojë investimet në ujitje, përpunim e magazinim të prodhimeve bujqësore.

Ai deklaroi kështu gjatë një fjalimi në konferencën XXII të Rrjetit Evropian për Zhvillimin Rural, të mbajtur në Mitrovicë.

Kurti shtoi se mbështetja për fermerët duhet të nxisë prodhimin dhe cilësinë.

“Të kalojmë nga mbështetja e bazuar kryesisht në sipërfaqe dhe numër të krerëve, drejt një sistemi që nxit prodhimin, cilësinë, produktivitetin dhe konkurrueshmërinë”, tha ai.

Sipas kryeministrit, investimet në ujë, shëndetin e tokës dhe kapacitetet përpunuese do t’u mundësonin fermerëve t’u shtonin vlerë prodhimeve. Ai tha se synimi është të zvogëlohet eksporti i produkteve të papërpunuara dhe importi i atyre të gatshme.

Kurti përmendi edhe mbrojtjen e tokës bujqësore, mbështetjen e fermerëve të rinj dhe fuqizimin e grave në zonat rurale. Ai tha se siguria ushqimore kërkon kapacitete më të mëdha vendore të prodhimit, veçanërisht pas çrregullimeve të furnizimit gjatë pandemisë dhe luftërave.

“Për Kosovën, zhvillimi rural ka rëndësi të veçantë. Ne kemi tokë pjellore, burime natyrore, traditë bujqësore dhe potencial njerëzor. Por kemi edhe vështirësitë nga sfida strukturore e deri te ndryshimet klimatike”, tha Kurti.

Duke folur për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, ai tha se buxheti i ardhshëm shumëvjeçar i BE-së, për periudhën 2028–2034, do të ndikojë në përgatitjen e fermerëve dhe institucioneve të vendeve kandidate.

Konferenca u organizua nga Kolegji Publik Ndërkombëtar i Biznesit Mitrovica dhe Rrjeti Evropian për Zhvillimin Rural, që ishte i përfaqësuar nga presidenti Paweł Chmieliński