12.3 milionë euro nga Arabia Saudite për segmentin e fundit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë
Segmenti i fundit i rrugës nacionale Prishtinë–Mitrovicë pritet të marrë së shpejti mbështetje financiare nga Fondi Saudit për Zhvillim. Ky fond do të investojë 53 milionë rialë sauditë, apo rreth 12.3 milionë euro, për ndërtimin e segmentit Smrekonicë–Mitrovicë. Pjesa tjetër e kostos së projektit, e cila kap vlerën totale prej rreth 16 milionë eurosh, do…
Lajme
Segmenti i fundit i rrugës nacionale Prishtinë–Mitrovicë pritet të marrë së shpejti mbështetje financiare nga Fondi Saudit për Zhvillim.
Ky fond do të investojë 53 milionë rialë sauditë, apo rreth 12.3 milionë euro, për ndërtimin e segmentit Smrekonicë–Mitrovicë. Pjesa tjetër e kostos së projektit, e cila kap vlerën totale prej rreth 16 milionë eurosh, do të mbulohet nga buxheti i Kosovës, transmeton lajmi.net.
Lajmi u bë i ditur pas takimit të ministrit të Financave, Hekuran Murati, dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, me drejtues të Fondit Saudit për Zhvillim.

Basha tha se pas përfundimit të procedurave do të nisë procesi i tenderimit për realizimin e segmentit, i cili do të kompletojë lidhjen rrugore ndërmjet Prishtinës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës.
Sipas tij, përfundimi i këtij projekti pritet të ndikojë në lehtësimin e qarkullimit dhe krijimin e kushteve më të mira për lëvizjen e qytetarëve, ndërsa do të ketë ndikim edhe në zhvillimin ekonomik të zonave përgjatë kësaj rruge.
Në takim është diskutuar edhe për një investim të ri në sektorin e shëndetësisë. Fondi Saudit ka shprehur gatishmërinë për të financuar me 20 milionë dollarë ndërtimin e Spitalit të ri të Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ministri Murati tha se ky projekt synon krijimin e një hapësire moderne për trajtimin e pacientëve në kuadër të QKUK-së.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Fondit Saudit për Zhvillim, Sultan bin Abdulrahman Al-Marshad, tha se institucioni është i gatshëm të vazhdojë bashkëpunimin me Kosovën në projekte infrastrukturore dhe shëndetësore.
Ai bëri të ditur se marrëveshja për financimin e projektit të ri në shëndetësi mund të nënshkruhet në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.
Me realizimin e segmentit Smrekonicë–Mitrovicë, do të kompletohet lidhja rrugore Prishtinë–Vushtrri–Mitrovicë./lajmi.net/