Gjykata Supreme shfuqizon dispozitën që u lejonte farmacistëve specializimin në Biokimi Klinike
Gjykata Supreme e Kosovës e ka shpallur të paligjshme dhe e ka shfuqizuar pikën C të Shtojcës 2 të Udhëzimit Administrativ për Shkollimin Specialistik. Kjo dispozitë u mundësonte personave me master në Farmaci të aplikonin edhe për specializim në Biokimi Klinike. Vendimi është marrë pas padisë së Shoqatës së Biokimistëve Klinikë të Kosovës kundër Ministrisë…
Lajme
Gjykata Supreme e Kosovës e ka shpallur të paligjshme dhe e ka shfuqizuar pikën C të Shtojcës 2 të Udhëzimit Administrativ për Shkollimin Specialistik. Kjo dispozitë u mundësonte personave me master në Farmaci të aplikonin edhe për specializim në Biokimi Klinike.
Vendimi është marrë pas padisë së Shoqatës së Biokimistëve Klinikë të Kosovës kundër Ministrisë së Shëndetësisë. Gjykata e ka vlerësuar padinë të themeltë.
Sipas aktgjykimit, Farmacia dhe Biokimia Klinike kanë programe studimi dhe profile profesionale të ndryshme. Farmacia përqendrohet kryesisht te barnat, ndërsa Biokimia Klinike te analizat laboratorike dhe mbështetja e diagnostikimit.
“Fakti që Farmacia përmban elemente të Biokimisë nuk e shndërron farmacistin në biokimist klinik”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës. Ajo vlerëson se specializimi duhet të mbështetet në formimin paraprak të kandidatit.
Ministria e Shëndetësisë kishte kundërshtuar padinë. Ajo kishte argumentuar se udhëzimi ishte nxjerrë sipas procedurave ligjore dhe se udhëzime të mëhershme u kishin lejuar farmacistëve këtë specializim. Megjithatë, Gjykata konstatoi se Ministria nuk kishte dëshmuar ndonjë nevojë të përcaktuar të sistemit shëndetësor për zgjerimin e kritereve.
Vendimi shfuqizon tërë pikën C të shtojcës, e cila rendiste edhe specializime të tjera për të diplomuarit në Farmaci. Aktgjykimi merr formë të prerë menjëherë pas komunikimit të tij palëve dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare.