Çka po planifikon Prishtina me buxhetin 2027? Asamblistja e LVV-së publikon shifrat dhe ngre pikëpyetje për rritjen e shpenzimeve

Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Nexhmije Gjema, ka kritikuar propozim-buxhetin e Komunës së Prishtinës për vitin 2027, duke ngritur pretendime për rritje të shpenzimeve në disa kategori. Përmes një postimi në Facebook, Gjema ka thënë se materialin për propozim-buxhetin e kanë pasur në dispozicion vetëm për tri ditë, ndërsa ka pretenduar…

Lajme

29/09/2026 12:19

Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Nexhmije Gjema, ka kritikuar propozim-buxhetin e Komunës së Prishtinës për vitin 2027, duke ngritur pretendime për rritje të shpenzimeve në disa kategori.

Përmes një postimi në Facebook, Gjema ka thënë se materialin për propozim-buxhetin e kanë pasur në dispozicion vetëm për tri ditë, ndërsa ka pretenduar se disa zëra buxhetorë kanë shënuar rritje të konsiderueshme krahasuar me vitin 2026.

“Pagat dhe mëditjet rriten prej 8 milionë e 300 mijë euro, 11 milionë e 600 mijë euro!”, ka shkruar Gjema.

Ajo ka përmendur disa nga kategoritë për të cilat pretendon se ka rritje të shpenzimeve, duke përfshirë klimatizimin dhe ngrohjen, inventarin e objekteve komunale, rrjetin kompjuterik, qiranë dhe mirëmbajtjen e veturave, udhëtimet zyrtare dhe GPS-in e veturave zyrtare.

“Klimatizimi dhe ngrohja: 65,000 → 250,000 €”, ka shkruar ajo, ndërsa ka përmendur edhe rritjen e inventarit të objekteve komunale nga 80 mijë në 370 mijë euro dhe të GPS-it të veturave zyrtare nga 3 mijë e 600 në 36 mijë euro.

Gjema ka kritikuar edhe ndarjet e propozuara për disa projekte dhe shërbime në kryeqytet.

Sipas saj, projekti “Ndërtimi i sheshit Xhorxh Bush dhe vazhdimi i sheshit deri tek Posta” është buxhetuar me 7 milionë e 79 mijë e 540 euro.

Ajo ka pretenduar se për Spitalin e Prishtinës janë ndarë 50 mijë euro.

“50 mijë euro për Spitalin e Prishtinës. (ma shumë kanë nda buxhet për telefonat fiks e për fleta A4 se për spitalin e qytetit!)”, ka shkruar Gjema.

Në postimin e saj, asamblistja ka ngritur pikëpyetje edhe për Unazën e Prishtinës, duke thënë se ajo nuk figuron si projekt i veçantë në buxhet.

Po ashtu, ajo ka thënë se në propozim-buxhet nuk figuron një linjë e veçantë buxhetore për blerjen e kamionëve dhe pajisjeve për largimin e mbeturinave për ndërmarrjen “Pastrimi”.

Në fund, Gjema ka thënë se përtej deklarimeve publike, dokumenti i propozim-buxhetit është ai që duhet të analizohet.

“Pra, përtej konferencave për gazetarë, statuseve në Facebook, deklaratave dhe arsyetimeve, mbetet dokumenti që e kemi përpara: BUXHETI 2027”, ka shkruar ajo. /Lajmi.net/