Muharremi paralajmëron zgjedhje të reja: LVV-ja, sipas tij, po e çon Kosovën drejt krizës

Analisti politik Shenoll Muharremi ka komentuar situatën aktuale politike në Kosovë, duke paralajmëruar mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. Përmes një postimi në Facebook, Muharremi ka thënë se, sipas tij, zhvillimet e fundit po tregojnë se vendi po shkon drejt një procesi tjetër zgjedhor. “Fatkeqësisht, të gjithë indikatorët po tregojnë…

Lajme

29/09/2026 12:09

Analisti politik Shenoll Muharremi ka komentuar situatën aktuale politike në Kosovë, duke paralajmëruar mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.

Përmes një postimi në Facebook, Muharremi ka thënë se, sipas tij, zhvillimet e fundit po tregojnë se vendi po shkon drejt një procesi tjetër zgjedhor.

“Fatkeqësisht, të gjithë indikatorët po tregojnë se Kosova, përkundër urgjencave aktuale shtetërore, po shkon drejt zgjedhjeve të tjera të jashtëzakonshme”, ka shkruar ai.

Muharremi ka pretenduar se Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti, kanë mundësi të arrijnë marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit, por sipas tij, kjo nuk po ndodh.

“Edhe pse Albin Kurti dhe LVV kanë mundësi me e zgjedhë presidentin edhe me LDK-në, edhe me PDK-në, duket se e kanë marrë vendimin qysh para disa muajsh me shku përsëri në zgjedhje”, ka shkruar Muharremi.

Sipas tij, vazhdimi i krizës politike dhe institucionales po i shkakton Kosovës pasoja në disa fusha.

“Vazhdimi i krizës, bllokadës dhe paralizës institucionale, duke mos dashur me qeverisë dhe me zgjedhë presidentin edhe pse populli ju ka dhënë mandatin me vota po i shkakton Kosovës kriza dhe kosto serioze politike, ekonomike dhe institucionale”, ka shkruar ai.

Muharremi ka vlerësuar se pasojat e situatës aktuale janë më të gjera sesa vetëm funksionimi i institucioneve.

“Kjo që po ndodh tani dhe ajo që ka ndodhur gjatë viteve të fundit, për mendimin tim, përbën dëmin më të madh politik dhe institucional që i është shkaktuar Kosovës që nga viti 1999”, ka shkruar ai.

“Një shtet nuk dëmtohet vetëm duke humbur territor. Dëmtohet edhe kur paralizohen institucionet, krizat bëhen kronike dhe vendi humb vite të tëra duke u marrë me vetveten në vend se me ecë përpara”, ka shtuar Muharremi.

Ai ka thënë se kjo situatë, sipas tij, ndikon edhe në besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit.

“Kur qytetarët e humbin shpresën për të ardhmen dhe besimin në institucione dhe shtet”, ka shkruar Muharremi. /Lajmi.net/