Miftaraj: Ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale, proces tejet kompleks

Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës është një proces kompleks dhe duhet të bëhet në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare të Kosovës. Kështu ka deklaruar Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, duke thënë se deputetët e Kuvendit kanë të drejtë dhe kompetencë kushtetuese për të iniciuar ndryshime…

Lajme

29/09/2026 08:44

Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës është një proces kompleks dhe duhet të bëhet në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare të Kosovës.

Kështu ka deklaruar Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, duke thënë se deputetët e Kuvendit kanë të drejtë dhe kompetencë kushtetuese për të iniciuar ndryshime në këtë ligj.

Megjithatë, sipas tij, çdo ndryshim duhet të respektojë detyrimet që Kosova ka marrë përmes amendamentit kushtetues dhe nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës.

“Deputetët e Kuvendit kanë të drejtë dhe kompetencë kushtetuese për të iniciuar plotësim dhe ndryshim të Ligjit për Dhomat e Specializuara, por me kusht që plotësimi dhe ndryshimi i ligjit të mos cenojë detyrimet që ka marrë Kosova në bazë të amendamentit kushtetues të përcaktuar me nenin 162 të Kushtetutës”, ka thënë Miftaraj për DW.

Ai ka theksuar se, përveç Kushtetutës, ndryshimet nuk duhet të jenë në kundërshtim as me detyrimet ndërkombëtare që ka marrë përsipër Republika e Kosovës.

Sipas Miftarajt, për të siguruar që ndryshimet eventuale të kenë efekt dhe të mund të zbatohen në praktikë, procesi duhet të zhvillohet në konsultim me partnerët ndërkombëtarë.

“Çdo plotësim dhe ndryshim i ligjit nuk mund të jetë në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare që ka marrë përsipër Republika e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Miftaraj ka vlerësuar gjithashtu se ndryshimet duhet të bëhen në konsultim dhe bashkëpunim me shtetet kryesore të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që ato të kenë efekt dhe të jenë të zbatueshme në praktikë.