Tahiri kritikon Kurtin dhe Ramën: Ishin në Amerikë, por nuk patën takime me qeverinë amerikane – alarm për kombin dhe dy shtetet tona

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar lidhur me qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe homologut të tij shqiptar, Edi Rama, në Nju Jork gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Tahiri ka ngritur kritika për mungesën, sipas saj, të takimeve të Kurtit dhe Ramës me…

Lajme

26/09/2026 10:57

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar lidhur me qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe homologut të tij shqiptar, Edi Rama, në Nju Jork gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Tahiri ka ngritur kritika për mungesën, sipas saj, të takimeve të Kurtit dhe Ramës me përfaqësues të qeverisë amerikane gjatë qëndrimit të tyre në SHBA, transmeton lajmi.net.

Sipas saj, një situatë e tillë tregon për problemet me të cilat përballen të dyja shtetet dhe, rrjedhimisht, reflektohet edhe në fushën e diplomacisë.

“Ishin në Amerikë, por nuk patën takime me qeverinë amerikane – as Kurtin, as Edi Ramën nuk i takuan qeveritarët amerikanë. Ky është një alarm për kombin dhe dy shtetet tona. Arsyet dihen: Kosova në kriza politike tash dy vjet e që vazhdojnë, ndërsa Shqipëria në pellgun e korrupsioneve të pandalshme”.

Tahiri u ndal edhe te fjalimi i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ajo e kritikoi atë për mosadresimin e çështjes së Kosovës dhe të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Sipas Tahirit, Shqipëria, si anëtare e OKB-së, kishte mundësinë që përmes fjalimit të saj të ngrinte këto çështje në një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare.

“Ai që pati mundësi të flasë në Asamblenë e Përgjithshme ishte Rama, sepse Shqipëria është anëtare e OKB-së, mirëpo fjalimi i tij u bojkotua nga të gjitha vendet anëtare të OKB-së. Duke mos pasur çfarë t’i thotë botës për Shqipërinë, Rama iu foli për rëndësinë e inteligjencës artificiale, ndërkohë që debati botëror hapur po shfaq shqetësimet se inteligjenca artificiale po e çon botën drejt apokalipsit. Rama nuk foli as për Kosovën, as për padrejtësinë ndaj liderëve të UÇK-së. Së paku e kishim ndier se pati Kosova një zë në OKB”.

Në fund, ish-kryenegociatorja e lidhi gjendjen e brendshme politike në Kosovë dhe Shqipëri me paraqitjen e tyre në arenën ndërkombëtare.

“Sa më e brishtë gjendja në shtet aq ma e brishtë diplomacia – kjo u pa në të dyja rastet. Edhe Kosova, edhe Shqipëria janë në këtë gjendje, fatkeqësisht”, përfundoi Tahiri./lajmi.net/