Kushtetuesja: Kuvendi është konstituuar me vonesë, Qeveria nuk e ka shkelur Kushtetutën – Zgjedhja e Presidentit më së largu deri me 6 tetor
Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mërkurën lidhur me kërkesat e deputetëve për kushtetutshmërinë e konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë. Gjykata konstatoi se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar me Kushtetutë. Ndërkaq, vendosi se zgjedhja e Qeverisë më 13 shtator 2026 nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, transmeton…
Lajme
Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mërkurën lidhur me kërkesat e deputetëve për kushtetutshmërinë e konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë.
Gjykata konstatoi se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar me Kushtetutë. Ndërkaq, vendosi se zgjedhja e Qeverisë më 13 shtator 2026 nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, transmeton lajmi.net.
Sipas aktgjykimit, afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor 2026.
Gjykata gjithashtu kërkoi që sa më parë të zgjidhet nënkryetari i Kuvendit nga grupi i dytë më i madh parlamentar.
VENDIMI I PLOTË:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 23 shtator 2026, vendosi lidhur me kërkesat e bashkuara KO256/26 dhe KO258/26, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit nr. 11-V-002, të 9 shtatorit 2026, për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit; Vendimit procedural të 11 shtatorit 2026 për mënyrën e votimit të nënkryetarëve; dhe konstatimit të 13 shtatorit 2026 për konstituimin e legjislaturës XI të Kuvendit”, si dhe “Vendimit Nr. 11-V-007, të 13 shtatorit 2026, për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, të parashtruar nga: KO256/26, Arian Tahiri dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës; dhe KO258/26, Arian Tahiri dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata, njëzëri, vendosi:
- TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
- TË KONSTATOJË që Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit tridhjetë (30) ditor, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
III. TË KONSTATOJË që kalimi i afatit tridhjetë (30) ditor për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, kur posti i Presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës sipas neneve 86 [Zgjedhja e Presidentit], 95 [Zgjedhja e Qeverisë] dhe nënparagrafëve 1 dhe 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
- TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet që sa më parë të zgjedhin Nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me paragrafin 3 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
- TË KONSTATOJË që Vendimi [Nr. 11-V-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
- TË KONSTATOJË që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026;
VII. TË REFUZOJË kërkesën për masë të përkohshme;
VIII. T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
- TË PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
- TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës./lajmi.net/