Shqipëria bëhet vendi i 73-të që nënshkruan Marrëveshjet Artemis, i bashkohet eksplorimit të hapësirës
Shqipëria është bërë vendi i 73-të që nënshkruan Marrëveshjet Artemis, duke iu bashkuar një grupi shtetesh që angazhohen për eksplorimin paqësor, transparent dhe të qëndrueshëm të hapësirës. Sipas njoftimi, marrëveshja u nënshkrua të hënën në një ceremoni të organizuar nga NASA në selinë e saj në Uashington. Në emër të Shqipërisë, dokumenti u firmos nga…
Lajme
Shqipëria është bërë vendi i 73-të që nënshkruan Marrëveshjet Artemis, duke iu bashkuar një grupi shtetesh që angazhohen për eksplorimin paqësor, transparent dhe të qëndrueshëm të hapësirës.
Sipas njoftimi, marrëveshja u nënshkrua të hënën në një ceremoni të organizuar nga NASA në selinë e saj në Uashington. Në emër të Shqipërisë, dokumenti u firmos nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, transmeton Klankosova.tv.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Ervin Bushati, si dhe zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Hapësirën dhe Mjedisin, Connor Tomlinson.
“Është privilegj për mua të mirëpres Republikën e Shqipërisë si nënshkruesen e 73-të të Marrëveshjeve Artemis”, u shpreh zëvendësadministratori i NASA-s, Matt Anderson.
Siç thuhet në njoftimin e NASA-s, ai theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë më shumë se një shekull histori, ndërsa nënshkrimi i marrëveshjes shënon shtrirjen e këtij bashkëpunimi edhe në fushën e hapësirës.
Gjatë ceremonisë, ministri Ferit Hoxha e cilësoi anëtarësimin në Marrëveshjet Artemis si një hap të rëndësishëm për Shqipërinë.
“Është një nder i madh për Shqipërinë t’i bashkohet komunitetit në rritje të vendeve që kanë nënshkruar këto Marrëveshje të rëndësishme Artemis”, deklaroi Hoxha.
Sipas tij, përmes këtij angazhimi Shqipëria konfirmon përkushtimin e saj ndaj eksplorimit paqësor, transparent, të qëndrueshëm dhe bashkëpunues të hapësirës.
“E bëjmë këtë si një vend thellësisht i përkushtuar ndaj së drejtës ndërkombëtare, bashkëpunimit shumëpalësh dhe besimit se arritjet më të mëdha të njerëzimit realizohen jo në izolim, por përmes partneriteteve”, u shpreh ministri.
Marrëveshjet Artemis u krijuan në vitin 2020 nga NASA dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, së bashku me shtatë shtete themeluese, në përgjigje të interesit në rritje për aktivitetet hapësinore dhe eksplorimin e Hënës.
Ato përcaktojnë një sërë parimesh praktike për të nxitur sigurinë, transparencën dhe koordinimin ndërkombëtar gjatë eksplorimit të Hënës, Marsit dhe më tej.
Ndër parimet kryesore të marrëveshjeve janë: eksplorimi paqësor dhe transparent i hapësirës; ofrimi i ndihmës për personat në nevojë; shkëmbimi dhe mundësimi i aksesit në të dhënat shkencore; respektimi i aktiviteteve të vendeve dhe aktorëve të tjerë, duke shmangur ndërhyrjet; mbrojtja e vendeve dhe objekteve me rëndësi historike në hapësirë përmes zhvillimit të praktikave të përbashkëta.