William Walker dhe DioGuardi e propozuan për President, por nuk u propozua nga partitë politike – Faton Bislimi tregon se çka ndodhi tutje

Në sfidën e madhe të Kosovës në të cilën gjendet tash e një kohë, atë të zgjedhjes së presidentit apo presidentes së vendit me mandat pesë vjeçar, po përmenden emra të ndryshëm e po propozohen shumë prej tyre nga persona brenda dhe jashtë vendit. Jo vetëm në Kosovë, kjo situatë po “shqetëson” edhe miqtë tanë…

Lajme

22/09/2026 23:00

Në sfidën e madhe të Kosovës në të cilën gjendet tash e një kohë, atë të zgjedhjes së presidentit apo presidentes së vendit me mandat pesë vjeçar, po përmenden emra të ndryshëm e po propozohen shumë prej tyre nga persona brenda dhe jashtë vendit.

Jo vetëm në Kosovë, kjo situatë po “shqetëson” edhe miqtë tanë ndërkombëtarë, shkruan lajmi.net.

Ish-ambasadori William Walker dhe ish-kongresisti Joe DioGuardi, ditë më parë kanë propozuar për President Faton Bislimin, duke e parë si njeri të denjë për këtë pozitë.

Bislimi pas propozimit, përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, kishte falënderuar të gjithë ata që e kanë propozuar dhe ata që e kanë mbështetur këtë propozim, ndërkaq për lajmi.net ka folur më gjatë për këtë temë.

Ai ka zgjedhur të mos flas në lidhje me komunikimet eventuale me partitë politike, duke mos sqaruar nëse ka marrë mbështetje nga njëra prej partive në vend.

Bislimi ka thënë se pas verdiktit të Hagës, ky është një moment kur Kosova duhet të jetë më e bashkuar se kurrë.

“Përtej dallimeve politike, kemi një detyrim kombëtar e shtetëror që të mbrojmë me vendosmëri të vërtetën, dinjitetin dhe vlerat e luftës sonë çlirimtare, si dhe shtetin e Kosovës që u ndërtua mbi sakrificën e atyre që luftuan për liri. Ky është moment për përgjegjësi shtetërore, jo për thellim të ndarjeve. Njëkohësisht, duhet ta forcojmë edhe më shumë partneritetin tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara, pa të cilin historia e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës nuk mund të kuptohet”, ka thënë Bislimi për lajmi.net.

Ai ka thënë se është një ndër i përjetshëm që në këtë moment të rëndësishëm për Kosovën, është propozuar dhe përkrahur nga njerëz që ka thënë se përfaqësojnë një histori të jashtëzakonshme të lidhjes së Kosovës me Amerikën, si ambasadori William Walker dhe Kongresisti Joe Dioguardi.

“Po aq i çmuar është besimi që më është shprehur nga familjet e heronjve tanë Sali Çekaj e Agim Ramadani, nga shqiptarët e Luginës së Preshevës, si dhe nga qytetarë në Kosovë e në diasporë. Këtë e shoh si një testament politik që shkon përtej cilësdo parti, përtej cilitdo krah politik dhe përtej interesave të ngushta partiake. Është, mbi të gjitha, një dëshmi e një besimi që lidhet me përkushtimin tim mbi dy dekada për Kosovën, për çështjen shqiptare dhe për forcimin e marrëdhënies sonë strategjike me Shtetet e Bashkuara”, ka shtuar Bislimi.

Ai për lajmi.net ka thënë se në këtë moment, më shumë se fjalët duhet të flasin përgjegjësia, puna dhe përkushtimi ndaj Republikës.

“Nëse Kosova më thërret për shërbim, unë do ta dëgjoj atë thirrje me përgjegjësinë që kërkon ky moment historik”, ka thënë ai.

Pavarësisht se u propozua nga Walker dhe Dioguardi, LDK dhe VV në marrëveshjen e tyre nuk e propozuan Bislimin për President. Këto dy parti kanë propozuar për President Bekim Sejdiun i cili nuk arriti të marrë këtë pozitë.

Gjashtë deputetë të LDK-së thanë se nuk e votojnë Sejdiun për President, ndërkaq PDK e dërgoi në Kushtetuese konstituimin e Kuvendit pa një nënkryetar dhe formimin e Qeverisë nga ky Kuvend që e quajtën të pakonstituuar.

Deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, LDK dhe VV “pezulluan” marrëveshjen ndërkaq Bekim Sejdiu u tërhoq nga gara për President.

Deri më tani, as VV e as LDK nuk e kanë përmendur emrin e Faton Bislimin si kandidat për President dhe asnjë emër tjetër të mundshëm.

Faton Bislimi i cili njihej si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pati prishur marrëdhëniet me drejtuesit e partisë. Madje Bislimi nuk pati hezituar që ta kritikoje publikisht kryetari n e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

E siç duket kjo papajtueshmëri mes dyshes çoi edhe në mos-propozimin e tij nga vetë LDK-ja të cilët u takuan dhe bashkëpunuan me Albin Kurtin që të propozohet emri për President./Lajmi.net/