Ish-prokurori i Tribunalit, Nice me mesazh të fortë: Mendohet se presione të ndryshme politike ndikuan procesin, Apeli të rihapë pikëpyetjet mbi provat
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë i dhanë një goditje të rëndë historisë së Kosovës dhe popullit të saj. Më 16 shtator të këtij viti, Gjykata Speciale në Hagë shpalli verdiktin në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës- të cilët i shpalli fajtorë duke i dënuar me gjithsej 81 vit vite burgim.…
Lajme
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë i dhanë një goditje të rëndë historisë së Kosovës dhe popullit të saj.
Më 16 shtator të këtij viti, Gjykata Speciale në Hagë shpalli verdiktin në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës- të cilët i shpalli fajtorë duke i dënuar me gjithsej 81 vit vite burgim.
Gjykata Speciale e Hagës dënoi ish-kreun e UÇK-së dhe shpallësin e pavarësisë së Kosovës, Hashim Thaçi me 25 vite burgim, e njësoj dënoi edhe ish-kryparlamentarin Jakup Krasniqi.
Me 18 vite burgim u dënua ish-kreu i PDK-së dhe njëherësh ish Kryetari i Parlamentit, Kadri Veseli. 13 vite burgim Gjykata e Hagës ia shqiptoi edhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Të katër ish-eprorët e UÇK-së u shpallën fajtorë për katër akuzat për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Ata u shfajësuan nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
E ky dënim i rëndë mbi katërshen e UÇK-së ka ngritur reagime të shumta si tek shqiptarët, por edhe tek ndërkombëtarët.
Shumë prej tyre kanë deklaruar se ky vendim është i padrejtë dhe se pritet që Gjykata e Apelit ta rrëzojë atë.
Mbi këtë vendim dhe zhvillimet nga Specialja, lajmi.net ka kontaktuar me ish-prokurorin e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), Geoffrey Nice.
Në thelb ish-prokurori Nice ngre si çështje për Gjykatën e Apelit mospërputhjet në vendimin e shkallës së parë.
Sipas tij nuk janë ndjekur në mënyrë të plotë dhe sistematike krimet që pretendoheshin, e megjithatë gjykata arriti në përfundim për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal.
Sipas Nice-s në Apel lind pyetja a përputhet ky përfundim-vendimi me atë çfarë realisht është hetuar, akuzuar dhe provuar në fund të procesit?
Ish-prokurori madje parashikoi se mbrojtja mund të kërkojë pikërisht një mospërputhje në mes aktakuzës, qasjes së prokurorisë dhe përfundimeve të gjykatës.
Nice deklaroi se natyra tejet e kufizuar dhe përmbledhëse e këtij vendimi gjyqësorë tani për tani e bën të vështirë dhe praktikisht të pamundur që të deklarohet gjerësisht pasi deklaroi se nuk i ka ndjekur provat e paraqitura në seancë publike, pasi siç potencoi shumë prej provave thuhet të jenë paraqitur në seanca të mbyllura.
“Jam në dijeni se një sasi e madhe provash është paraqitur në seancë të mbyllur dhe, për rrjedhojë, ka gjasa të mos jenë të disponueshme për shqyrtim publik për një periudhë të pacaktuar në të ardhmen”,deklaroi Nice.
I pyetur se si e vlerëson nga këndvështrimi ligjor dënimet e shqiptuara ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, Nice tha se vlerësimi nuk është i mundur bazuar vetëm në përmbledhjen e dhënë të vendimit që disponohet aktualisht, pasi siç tha ai ajo thjesht përmbledh vendimet/gjetjet apo konkluzionet e gjyqtarëve pa identifikuar provat konkrete mbi të cilat mund të jenë bazuar ato vendime.
Nice u pyet gjithashtu se si e vlerëson përdorimin dhe arsyetimin lidhur me konceptin e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” në këtë rast, veçanërisht për sa i përket vërtetimit të qëllimit kriminal dhe individualizimit të kontributit të secilit prej personave të dënuar?
Me këtë rast ai potencoi se kjo përgjigje është e pamundur pa pasur qasje në provat e detajuara mbi të cilat gjetën mbështetje gjyqtarët.
“Nuk është e mundur pa pasur qasje në provat e detajuara mbi të cilat janë mbështetur gjyqtarët për secilin rast individual”,tha ai.
Nice deklaroi se është plotësisht e nevojshme që Gjykata e Apelit të shqyrtojë nëse gjetjet në lidhje me sjelljen personale të secilit person të dënuar u paraqitën me qartësi të mjaftueshme në aktakuzë dhe në njoftimin e dhënë mbrojtjes.
“Plotësisht”, në pajtim me këtë.
Ish-prokurori Nice është pyetur njashtu se cila nga çështjet duhet gjetur fokusin në Apel, në momentin kur lënda veçse procesohet.
Gjykata konstatoi se Prokuroria nuk kishte kryer përtej çdo dyshimi të arsyeshëm një sulm të përhapur ose sistematik të drejtuar kundër një popullsie civile dhe i liroi të akuzuarit nga akuzat për krime kundër njerëzimit, ndërsa në të njëjtën kohë gjeti një qëllim të përbashkët kriminal që mbulonte një numër të madh krimesh lufte. A shihni ndonjë çështje ligjore ose arsyetimi këtu që meriton vëmendje në apel?
“Unë supozoj se avokatët mbrojtës do të përqendrohen në këtë – nëse dhe kur të kenë qasje në një vendim të duhur – dhe do të kërkojnë mospërputhje përtej qasjes së gjykatës ndaj NPK-së nga qasja e saj ndaj KPP-së”,deklaroi Nice.
Ish-prokurori Geoffrey Nice gjithashtu bëri të ditur se cilat janë çështjet kryesore që do të duhej të shqyrtojë trupi gjykues i Apelit.
Nice me këtë rast përmendi raportonin e Dick Martyt , duke theksuar se që nga koha kur u pranua ky raport shumë presione të ndryshme politike janë nxitur dhe kanë ndikuar më pas në proces.
Sipas tij në Apel duhet trajtuar dhe duhet bërë përpjekje që të zbulohet se cilat konsiderata politike, në dallim nga ato të thjeshtat ligjore kanë ndikuar në procesin dhe në gjykimin e 4shes në Hagë.
Nice ngre një pikë kyçe që është nëse Prokuroria nuk ka hetuar dhe provuar në mënyrë sistematike krimet e pretenduara dhe se Apeli duhet shqyrtuar nëse përfundimi për një qëllim të përbashkët kriminal mbështetet plotësisht në provat dhe në çështjen që ishte paraqitur gjatë gjykimit. Ai madje tha se mendohet se presione të ndryshme politike të kenë nxitur dhe ndikuar procesin në gjyqin kundër Thaçit dhe të tjerëve.
“Gjatë 15 viteve të fundit, që kur Raporti Marty u mor si bazë në Këshillin e Evropës, integriteti i procesit që çoi në krijimin e kësaj gjykate është vënë në dyshim nga shumëkush. Presionet politike të llojeve të ndryshme që nxisin dhe ndikojnë në proces mendohet se kanë çuar përfundimisht në gjyqet e Thaçit etj. Përmbajtja e këtyre gjyqeve ishte krejtësisht e shkëputur nga pretendimet e pabazuara për “marrje të detyruar të organeve”, mbi të cilat u hodh hapi i parë i procesit. Nuk e di se në ç’masë këto presione kanë qenë objekt argumentimi nga ana e mbrojtjes gjatë gjykimit. Ato duhet të trajtohen në apel dhe duhet bërë çdo përpjekje për të zbuluar se cilat konsiderata politike – në dallim nga ato thjesht ligjore – kanë ndikuar në procesin dhe gjykimin në tërësi (nëse vërtet ka pasur të tilla, siç supozohet)”,përfundoi ai.
Ndryshe avokati kryesor i Thaçit, Luka Mishetiq, tha se aktgjykimi dënues do të apelohet në Gjykatën e Apelit në Hagë, pasi pretendoi se ka gabime të rëndësishme ligjore dhe faktike që “kanë cenuar” që procesi gjyqësor “të jetë i drejtë”.
Mishetiq shkroi se përgjatë gjithë procesit gjyqësor, mbrojtja ka shprehur shqetësime për drejtësinë procedurale, përfshirë edhe “pyetjet e shumta të bëra nga anëtarët e trupit gjykues që nuk krijonin përshtypjen e paanshmërisë”.
“Mbroja mban qëndrimin se ndërhyrjet gjyqësore tejkaluan kufirin natyral të kërkimit të së vërtetës, duke cenuar përshtypjen e paanshmërisë që kërkohet sipas standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Kjo mungesë paanshmërie tani është edhe në aktgjykimin e trupit gjykues”, shkroi Mishetiq.
Mbrojtja, sipas tij, argumentuan se gjetjet e trupit gjykues për fajësinë e provuar përtej dyshimit të arsyeshëm mbështeten në prova të pamjaftueshme. Për më tepër, tha Mishetiq, në aktgjykimin e shqiptuar më 16 shtator, trupi gjykues publikisht pretendoi se Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaqit.
Kjo pasi, sipas Mishetiqit, “të gjitha palët ishin urdhëruar që të mos diskutonin për rastin e zotit Allaqi në seanca publike dhe pasi trupi gjykues kishte urdhëruar që të gjitha dëshmitë e lidhura me këtë rast të mbaheshin konfidenciale”.
“Trupi Gjykues e ka shpallur publikisht Thaçin fajtor për një vrasje, ndërsa provat mbi të cilat mbështeti këtë përfundim i ka mbajtur të mbrojtura nga shqyrtimi publik. Thaçi do ta mirëpriste një shqyrtim të tillë publik të provave”, tha Mishetiq, duke shtuar se Thaçi “mohon në mënyrë eksplicite çdo përfshirje në vrasje”.
Gjatë shqiptimit të aktgjykimit, trupi gjykues tha se Thaçi kishte luajtur rol kyç në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal, ndërsa konstatoi se kishte marrë pjesë edhe personalisht në disa prej krimeve, përfshirë rastin e Behajdin Allaqit.
Mbrojtësi i Thaçit tha se do të apelohet shkelja e të drejtave themelore për një gjykim të drejtë.
Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar janë tri arsye për të cilat mund të dorëzohen apele për vendime të shkallës së parë: ndonjë gabim rreth ndonjë çështje juridike që e shfuqizon aktgjykimin, ndonjë gabimi faktik i cili ka shkaktuar dështimin e drejtësisë ose ndonjë gabimi për sa i përket dhënies së dënimit.
Çështja në apel, sipas ekipeve mbrojtëse, mund të marrë vite kohë.
Krerët institucionalë dhe ata partiakë në Kosovë e kanë cilësuar të padrejtë dënimin. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendimi duhet ndryshuar pozitivisht në apel.
Katër ish-eprorët e UÇK-së gjenden në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020 kur u bë publike aktakuza ndaj tyre.
Aktgjykimi ndaj tyre u shpall pas dëshmimit të 273 dëshmitarëve dhe vlerësimit të afër 5.500 materialeve./Lajmi.net/