​Aktakuzë ndaj tre personave për drogë dhe armë në Deçan

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për vepra penale që lidhen me narkotikë dhe armë. Të pandehurit I.A., F.T. dhe M.A. akuzohen për shpërndarje, shitje dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve. I pari ngarkohet edhe për armëmbajtje pa leje. Sipas aktakuzës, I.A. dyshohet se nga janari deri më 6 nëntor 2025…

Lajme

17/09/2026 16:15

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për vepra penale që lidhen me narkotikë dhe armë.

Të pandehurit I.A., F.T. dhe M.A. akuzohen për shpërndarje, shitje dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve. I pari ngarkohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, I.A. dyshohet se nga janari deri më 6 nëntor 2025 ka shpërndarë dhe shitur marihuanë në Isniq të Deçanit.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar 131,47 gramë marihuanë.

Prokuroria pretendon, sipas një njoftimi për medie, se ai posedonte pa autorizim edhe një pushkë automatike, municion dhe dy granata dore.

I pandehuri F.T. dyshohet se nga qershori deri më 6 nëntor 2025 ka shpërndarë dhe shitur marihuanë në Drenoc të Deçanit.

Në shtëpinë e tij janë sekuestruar 2,93 gramë marihuanë dhe mjete që dyshohet se përdoreshin për përgatitjen dhe paketimin e saj.

Ndërkaq, M.A. akuzohet se më 6 nëntor 2025 posedonte 0,46 gramë marihuanë. Sipas aktakuzës, droga ishte për përdorim personal.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që tre të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.