GLPS pas aktgjykimit në Hagë: Përfundimet duhet të shqyrtohen me rigorozitet në Apel, ngrihen shqetësime për procesin
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke shprehur “zhgënjimin e thellë” ndaj vendimit dhe dënimeve të shqiptuara. Në një reagim publik, GLPS ka thënë se përfundimet e aktgjykimit duhet të shqyrtohen me rigorozitet në…
Lajme
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke shprehur “zhgënjimin e thellë” ndaj vendimit dhe dënimeve të shqiptuara.
Në një reagim publik, GLPS ka thënë se përfundimet e aktgjykimit duhet të shqyrtohen me rigorozitet në shkallën e ankimimit, duke kërkuar që Dhoma e Apelit të veprojë në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme.
Sipas GLPS-së, pozita politike apo ushtarake e një personi nuk mund të jetë bazë për përgjegjësi penale pa u provuar lidhja mes veprimeve dhe përgjegjësisë individuale përmes provave bindëse dhe në një proces të drejtë.
“Pozita politike apo ushtarake nuk mundet që me automatizëm të cilësojë si fajtor askënd nëse nuk provohet lidhja kauzale shkak-pasojë me prova bindëse, justifikim të plotë dhe të ligjshëm të zhvilluar në një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm”, thuhet në reagim.
GLPS ka kërkuar që aktgjykimi të vlerësohet edhe në kontekstin e luftës në Kosovë dhe të praktikës së drejtësisë ndërkombëtare për krimet e kryera ndaj popullsisë civile.
“E drejta ndërkombëtare nuk mund të funksionojë mbi standarde të dyfishta”, ka theksuar GLPS, duke kërkuar që në këtë debat të merret parasysh edhe mënyra se si janë trajtuar rastet e zyrtarëve të lartë politikë, ushtarakë dhe policorë të aparatit shtetëror serb të gjykuar për krimet e kryera në Kosovë.
Organizata ka ngritur shqetësime edhe lidhur me kohëzgjatjen e procesit, barazinë e armëve, administrimin e provave dhe zbatimin praktik të standardeve të të drejtave të njeriut.
GLPS ka thënë se këto çështje duhet të shqyrtohen në procesin e ankimimit, duke përmendur edhe raportin e Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC).
“Në këtë drejtim, përmbledhja e aktgjykimit nuk i adreson aspektet thelbësore të identifikuara në raportin e Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC), sa i përket të drejtave të njeriut”, thuhet në reagim.
Sipas GLPS-së, shqetësime krijon edhe mënyra se si janë trajtuar dhe vlerësuar provat gjatë procesit, duke pretenduar se duhet të shqyrtohet nëse është respektuar standardi i provës përtej dyshimit të arsyeshëm.
“Respektimi i pavarësisë së gjyqësorit nuk kërkon heshtje përballë vendimeve të tij. Përkundrazi, kërkon që kritika të mbështetet në fakte dhe që çdo gabim i konstatuar të korrigjohet përmes mjeteve ligjore”, ka deklaruar GLPS.
Në fund, organizata ka kërkuar unitet institucional dhe shoqëror për trajtimin e procesit të mëtejshëm në Dhomat e Specializuara, duke theksuar rëndësinë e shfrytëzimit të së drejtës për ankesë.
“Ky moment nuk kërkon përçarje, por qetësi dhe bashkim rreth parimeve të drejtësisë, të së vërtetës, rezistencës dhe luftës së drejtë të UÇK-së dhe të mbrojtjes së dinjitetit të Kosovës”, thuhet në reagimin e GLPS-së. /Lajmi.net/