“Nëse pagat nuk zbatohen sipas vendimit të Qeverisë, më 6 tetor jemi në grevë” – Azemi paralajmëron shkollat e Prishtinës

Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Publik të Kosovës (FSPTSPK), Jusuf Azemi, ka paralajmëruar se punëtorët teknikë në shkollat fillore të Prishtinës do të rikthehen në grevë nëse pagat e muajit shtator nuk janë në përputhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për pagën minimale. Azemi, përmes një reagimi, ka thënë se…

Lajme

17/09/2026 10:51

Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Publik të Kosovës (FSPTSPK), Jusuf Azemi, ka paralajmëruar se punëtorët teknikë në shkollat fillore të Prishtinës do të rikthehen në grevë nëse pagat e muajit shtator nuk janë në përputhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për pagën minimale.

Azemi, përmes një reagimi, ka thënë se sipas informacioneve që kanë marrë nga disa udhëheqës të Komunës së Prishtinës, memorandumi për pagën minimale për punëtorët teknikë në shkollat fillore dhe të mesme ndodhet në tavolinën e kryetarit Përparim Rama, por, sipas tij, nuk është nënshkruar.

“Kemi informacione nga disa udhëheqës të Komunës së Prishtinës se memorandumi për pagën minimale për punëtorët teknikë në shkollat fillore dhe të mesme është në tavolinën e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, por ky i fundit nuk është duke e nënshkruar”, ka deklaruar Azemi.

Ai ka shprehur dyshime lidhur me statusin e dokumentit dhe ka paralajmëruar pasoja për funksionimin e shkollave në kryeqytet.

“Kemi dyshime se ky dokument nuk është në tavolinën e Kryetarit, ose se Kryetari nuk është duke e ditur pasojat që kjo situatë është duke ua sjellë shkollave në Komunën e Prishtinës”, thuhet në reagim.

Azemi ka bërë të ditur se greva e punëtorëve teknikë vetëm është pezulluar dhe mund të rifillojë në rast se pagat e muajit shtator nuk zbatohen sipas vendimit qeveritar.

“Njoftojmë opinionin, prindërit e nxënësve dhe vetë nxënësit se, nëse pagat për muajin shtator nuk janë në përputhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës, të gjitha shkollat fillore do ta rifillojnë grevën, pasi ajo vetëm është pezulluar”, ka shkruar ai.

Në fund, Azemi i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës që të zbatojë vendimin për pagën minimale, duke paralajmëruar se greva do të nisë më 6 tetor.

“Andaj, ju bëjmë thirrje që, me kokë të ftohtë, ta përmbushni obligimin lidhur me zbatimin e vendimit të Qeverisë për pagën minimale. Në të kundërtën, pa hezitim, më 6 tetor do të jemi në grevë”, ka deklaruar Azemi.