Flet avokati Dixon pas dënimit të Kadri Veselit: Do ta apelojmë fuqishëm aktgjykimin – klienti im do të veprojë për të pastruar emrin e tij

Avokati i ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli, Rodney Dixon ka folur pas aktgjykimit të sotëm në Gjykatën Speciale, ka thënë se ekipi mbrojtës do të përgatiten për të apeluar aktgjykimin e sotëm. Dixon tha se Gjykata Speciale, në aktgjykimin e sotëm, ka dhënë vetëm dënime. Sipas tij, ekipi i tij mbrojtës është shokuar nga verdikti…

Lajme

16/09/2026 22:35

Avokati i ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli, Rodney Dixon ka folur pas aktgjykimit të sotëm në Gjykatën Speciale, ka thënë se ekipi mbrojtës do të përgatiten për të apeluar aktgjykimin e sotëm.

Dixon tha se Gjykata Speciale, në aktgjykimin e sotëm, ka dhënë vetëm dënime. Sipas tij, ekipi i tij mbrojtës është shokuar nga verdikti dënues.

“Gjykata këtu për Kosovën ishin vetëm dënime, përfshirë edhe të klientit tim, Kadri Veselit, u shpallën fajtorë dhe u dënuan. Ekipi mbrojtës, në emër të tij, me të vërtetë janë të shokuar nga kjo shpallje fajësie dhe dënimi. Kemi kaluar gjashtë vjetët e fundit duke theksuar që nuk ka dëshmi për të dëshmuar përfshirjen e tij në çfarëdo vrasje a kidnapim… po e shohim etapën e radhës të apelimit të fuqishëm të vendimeve”.

“Do të na duhet ta shohim me shumë kujdes aktgjykimin e gjatë. Ajo që na habiti në përmbledhje është se gjykata konstatoi se kishte dëshmi për keqbërje nga ana e klientit tim, por ne gjatë procedurës kemi theksuar mungesën e çfarëdo lloj prove në të cilën do të mund të mbështetej, dhe këtë do ta shikoj me shumë hollësi për të ndjekur linjën e ankesës”, deklaroi avokati Dixon.

Duke qenë se Veseli nuk ka qenë asnjëherë komandant terreni, siç kanë qenë komandantët tjerë e që janë gjykuar në Kosovë apo në gjykatën për ish-Jugosllavi, ai u pyet se si e sheh rolin e Veselit gjatë luftës.

“Tani nuk do të futem në hollësitë e provave të sakta dhe pozitës së tij të saktë, dhe si do t’i parashtrojmë këto në apelim. Do të na duhet ta konsiderojmë aktgjykimin si tërësi, por me siguri se do t’i apelojmë në mënyrë të fuqishme gjetjet që janë bërë”, u shpreh më tej ai.

Ai tha se do të apelojnë edhe shpalljen e tij fajtor, e më pas edhe atë të dënimit.

Sipas tij, janë të caktuara afatet kohore të procesit të apelit, por shtoi se do t’i shikojnë të njëjtat dhe do t’i ndjekin të gjitha procedurat e nevojshme për të apeluar.

“Shumë varet nga shqyrtimi i aktgjykimit. Nuk mund të futem në hollësi të sakta, nuk mund të flasim për diçka që do të zgjidhet shpejt sepse rregullat parashohin muaj të tërë që të ndodhë kjo. Por, të gjithë ne do t’i bëjmë parashtresat tona në gjykatë”, u shpreh ai.

I pyetur nga gazetari Kelmendi në lidhje me rastin e Behadin Hallaqit, i cili, sipas tij, është i vetmi që u përmend me emër nga të gjithë të tjerët që u prezantuan në gjetje.

Avokati i Veselit tha se ky emër u përmend sot në përmbledhje, por shtoi se ekipi i tij ka treguar se “nuk kishte dëshmi në dispozicion në të cilin që do të mund të mbështeteshin për të dënuar klientin tim lidhur me cilindo nga këto pohime. Kjo ka qenë pozita jonë konsistente gjatë gjithë kohës”, shtoi ai për Klan Kosova.

Sipas Dixonit, janë rreth 2000 faqe në aktgjykimin e plotë.

Më tej, në intervistë, ai tha se do të shohin të gjitha çështjet para se të çojnë rastin në apel.

I pyetur se për çfarë është dënuar Veseli, ai tha: “Përmbledhja sot përmend ndërmarrjen e përbashkët kriminale për të shënjestruar kundërshtarët në disa vende në të gjithë Kosovën. Është lënë në një nivel të përgjithshëm, por qëndrimi ynë konsistent ka qenë se nuk kishte dëshmi për të mbështetur gjetjen e përfshirjes së tij në çfarëdo lloj aktiviteti kriminal”, shtoi ai.

“Porcesi i apelimit është proces i ndarë nga gjykimi, dhe kjo do të fillojë tani, sipas procedurës së gjykatës, do ta bëjmë apelin dhe do të vazhdojmë të dëshmojmë pafajësinë tonë në proces dhe do t vazhdojmë të luftojmë ta pastrojmë emrin e zotëri Veselit dhe për ta kthyer në Kosovë”.

Se a do të kërkojnë rrëzim të të gjitha akuzave apo rigjykim, ai tha se nuk mund të komentojë në këtë moment.

“Ai është në një ndjesi të mirë dhe është pozitiv për të luftuar apelin, që të jetë në gjendje për të pastruar emrin e tij dhe për të dëshmuar që është i pafajshëm”, potencoi në fund avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon.