Ambasadori i Shqipërisë në Shkup: Për mua, drejtësia nuk është dhënë, shqiptarët e dinë mirë se liria nuk na u fal

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka reaguar pas dënimit të shqiptuar sot ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Ish-krerët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar nga Gjykata Speciale në Hagë. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25…

Lajme

16/09/2026 18:10

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka reaguar pas dënimit të shqiptuar sot ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Ish-krerët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar nga Gjykata Speciale në Hagë.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselit iu shqiptua dënimi me 18 vjet burgim, ndërsa Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burgim.

Kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith shpalli aktgjykimin dënues për të katër të akuzuarit.

Postimi pa ndërhyrje i Denion Meidanit

Isha mbase tepër i ri kur Shqipëria, me babain tim, President të Republikës, hapi kufijtë dhe zemrën për refugjatët e Kosovës që iknin nga vrasjet, spastrimi dhe makina e terrorit të Millosheviçit.

Viti 1999 nuk është për mua vetëm histori.

Është kujtesë.

Kujtesa e një Shqipërie, por edhe e një Maqedonie të Veriut, që u bënë strehë e mburojë për qindra mijëra shqiptarë të Kosovës.

Kujtesa e një populli që luftonte për të mbijetuar, për të qenë i lirë, për të mos u zhdukur nga toka e vet.

Kujtesa e një kohe kur bota demokratike vendosi të mos qëndronte spektatore.

Njëzet e shtatë vjet më vonë, katër prej atyre guximtarëve që udhëhoqën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës u dënuan sot në shkallë të parë.

Për mua, drejtësia nuk është dhënë.

Sot, si Ambasador i Shqipërisë në Shkup, kjo peshë ndihet edhe më trishtueshëm, mes një komuniteti shqiptar që këtë luftë nuk e ka mësuar në libra. Bijtë e tij e kanë luftuar. Familjet e tij kanë sakrifikuar. Ky komunitet e njeh mirë çmimin e lirisë, sepse e ka paguar vetë.

Shqiptarët e dinë mirë se liria nuk na u fal.

U fitua me gjak.

U mbrojt me sakrificë.

U bë e mundur me guximin e UÇK-së dhe me ndërhyrjen vendimtare të NATO-s.

Prandaj, sot qëndrojmë me dinjitet pranë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit dhe familjeve të tyre.

Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit.

Është shkalla e parë.

Ka apel.

Dhe duhet drejtësi për çlirimtarët.

Besoj fort në drejtësi dhe besoj se ky aktgjykim duhet të rrëzohet.

Sepse historia jonë mbase mund të gjykohet.

Por kurrë nuk mund të rishkruhet.