​Specialja e dënoi me 25 vjet burgim, Biden e kishte quajtur Thaçin “Xhorxh Uashingtoni i Kosovës”

Një gjykatës amerikan e ka kryesuar panelin e Speciales që sot e dënoi me 25 vjet atë që nën kryetari e më pas edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara e kishte quajtur Xhorxh Washingtoni i Kosovës. Hashim Thaçi, i cili sot u dënua me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë, në vitin…

Lajme

16/09/2026 14:19

Një gjykatës amerikan e ka kryesuar panelin e Speciales që sot e dënoi me 25 vjet atë që nën kryetari e më pas edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara e kishte quajtur Xhorxh Washingtoni i Kosovës.

Hashim Thaçi, i cili sot u dënua me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë, në vitin 2010 ishte cilësuar nga Joe Biden si “Xhorxh Uashingtoni i Kosovës”.

Deklarata ishte bërë më 21 korrik 2010 në Shtëpinë e Bardhë, gjatë një takimi ndërmjet Bidenit, në atë kohë nënpresident i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe mysafirit nga Prishtina.

Takimi ishte zhvilluar pak para publikimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Në njoftimin e atëhershëm të Qeverisë së Kosovës, Biden citohej ta kishte quajtur Thaçin “Xhorxh Uashingtoni i Kosovës”, duke e krahasuar kështu me njërin nga themeluesit dhe presidentin e parë të Shteteve të Bashkuara.

Sipas komunikatës amerikane për takimin, Biden e kishte rikonfirmuar mbështetjen e plotë të SHBA-së për një Kosovë të pavarur, demokratike, të bashkuar dhe shumetnike. Ai kishte përgëzuar Thaçin për përparimin në reforma dhe për gatishmërinë që Kosova të bashkëpunonte me vendet fqinje.

Gjashtëmbëdhjetë vjet pas atij takimi në Shtëpinë e Bardhë, ish-presidenti i Kosovës u shpall fajtor nga Dhomat e Specializuara, për krime lufte dhe u dënua me 25 vjet burgim, duke iu llogaritur koha e kaluar në paraburgim. Vendimin e lexoi gjykatësi Charles Smith.

Trupi Gjykues e shpalli atë të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, pasi konstatoi se Prokuroria nuk kishte arritur të dëshmonte përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të përhapur ose sistematik kundër popullatës civile.

Thaçi, njëri nga drejtuesit politikë të UÇK-së gjatë luftës, më vonë udhëhoqi delegacionin e Kosovës në Konferencën e Rambujesë, shërbeu si kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, ndërsa në vitin 2016 u zgjodh president.

Ai dha dorëheqje nga posti i kreut të shtetit në nëntor 2020, pas konfirmimit të aktakuzës, dhe u transferua në Hagë për t’u përballur me procesin gjyqësor.

Nga “Xhorxh Uashingtoni i Kosovës” në Shtëpinë e Bardhë deri te dënimi me 25 vjet burgim në Hagë, vendimi i sotëm mund të konsiderohet i atillë që shënon kthesën më të rëndë në rrugëtimin politik dhe publik të Hashim Thaçit.