Pas aktgjykimit në Hagë, LDK: E vërteta e luftës nuk zhbëhet, të gjithë të tregojnë qetësi, maturi e përgjegjësi

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur “shqetësim shumë të thellë” për vendimin dhe përmasën e dënimeve. LDK-ja ka bërë thirrje për qetësi, maturi dhe përgjegjësi, duke theksuar ndjeshmërinë e këtij momenti për qytetarët e Kosovës. Në komunikatën e saj, LDK-ja ka deklaruar…

Lajme

16/09/2026 12:52

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur “shqetësim shumë të thellë” për vendimin dhe përmasën e dënimeve.

LDK-ja ka bërë thirrje për qetësi, maturi dhe përgjegjësi, duke theksuar ndjeshmërinë e këtij momenti për qytetarët e Kosovës.

Në komunikatën e saj, LDK-ja ka deklaruar se liria dhe pavarësia e Kosovës mbështeten në sakrificën e brezave, rezistencën politike e paqësore të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, luftën e UÇK-së dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.

“Asnjë aktgjykim, as ky i sotmi, nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

LDK-ja ka përmendur krimet e kryera nga regjimi i Serbisë gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se populli i Kosovës luftoi për mbijetesë dhe liri.

“Djemtë e vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbrojtën pragun e shtëpisë”, thuhet më tej.

Partia ka deklaruar se mbetet e përkushtuar ndaj shtetit të së drejtës dhe ka mbështetur shterimin e të gjitha kanaleve ankimore, përfshirë edhe shkallën e dytë.

LDK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve për qetësi dhe maturi, ndërsa përfaqësuesve politikë u ka kërkuar përgjegjësi në fjalët dhe veprimet e tyre.

“U bëjmë thirrje të gjitha forcave politike t’i lëmë mënjanë ndasitë dhe të qëndrojmë bashkë për ta përballuar këtë periudhë të vështirë për Kosovën”, thuhet në komunikatë.

Në fund, LDK-ja ka theksuar se liria e Kosovës “ka kushtuar shumë” dhe ka bërë thirrje për ruajtjen e shtetit, unitetit qytetar dhe miqësive ndërkombëtare.

“UÇK mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë; dje, sot e përjetësisht”, përfundon komunikata. /Lajmi.net/