Dënimi i Kadri Veselit me 18 vjet burgim, vëllai i tij: Vendimi nuk ishte i mirë, por duhet ta pranojmë

Ismet Veseli, vëllai i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, me të cilin Veseli u dënua me 18 vjet burgim. Ismet Veseli tha se vendimi nuk ishte i mirë, por se familja duhet të pajtohet me të. “Vendimi ishte jo i mirë, por çfarë…

Lajme

16/09/2026 12:24

Ismet Veseli, vëllai i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, me të cilin Veseli u dënua me 18 vjet burgim.

Ismet Veseli tha se vendimi nuk ishte i mirë, por se familja duhet të pajtohet me të.

“Vendimi ishte jo i mirë, por çfarë të bëjmë, duhet të pajtohemi. Ishalla nuk na ka dënuar Zoti”, u shpreh ai.

Veseli tha se, sipas tyre, procesi gjyqësor nuk ka qenë i drejtë.

“Për këtë gjyq po shihet, për neve nuk është i drejtë, pra ai (Trupi Gjykues) e ka bërë të vetën”, potencoi ai.

Veseli tha se familja e tij e konsideron veten viktimë dhe se, sipas tij, ndaj tyre është vepruar padrejtësisht.

“Ne jemi si gjithë, viktima, por anasjelltas ne na kanë fajësuar si gjithmonë, padrejtësisht”, përfundoi Veseli.

Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim nga Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë. Vendimi u shpall më 16 shtator 2026, në kuadër të aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.