24 orë para verdiktit në Hagë, djali i Xhavit Hazirit fton qytetarët: Ta presim bashkë mëngjesin në shesh

Kur Kosova po hyn në 24 orët e fundit para vendimit në Hagë, Çlirim Haziri, djali i veprimtarit dhe dëshmorit të kombit Xhavit Haziri, u ka bërë thirrje qytetarëve që sonte të mblidhen në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe ta presin së bashku mëngjesin e 16 shtatorit. Haziri ka bërë të ditur se sonte do…

Lajme

15/09/2026 10:00

Kur Kosova po hyn në 24 orët e fundit para vendimit në Hagë, Çlirim Haziri, djali i veprimtarit dhe dëshmorit të kombit Xhavit Haziri, u ka bërë thirrje qytetarëve që sonte të mblidhen në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe ta presin së bashku mëngjesin e 16 shtatorit.

Haziri ka bërë të ditur se sonte do ta kalojë natën në shesh, në pritje të verdiktit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

“Si djali i Xhavit Hazirit, pritjen e njoh mirë. Jam rritur me të. Unë dhe familja ime presim edhe sot e kësaj dite”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se dëshiron që kjo natë të mos kalohet secili veçmas, por bashkë, si qytetarë të bashkuar nga lufta e drejtë e UÇK-së.

“Të rrimë bashkë sonte dhe ta zbardhim mëngjesin në shesh, në pritje të lirisë për çlirimtarët tanë”, ka shkruar Haziri.

Sipas tij, vendimi i 16 shtatorit nuk lidhet vetëm me fatin e katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, por prek edhe historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të vetë Kosovës.

Haziri i ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen nga ora 21:00, në sheshin “Skënderbeu”, duke kërkuar që pritja të jetë paqësore, qytetare dhe e mbushur me shpresë.

“Ndonjëri me një batanije, tjetri me një kitarë, një tjetër me një çaj të nxehtë — por të gjithë me zemër dhe me shpresë për drejtësi. Sonte, mjafton të jemi aty. Të presim bashkë”, ka shkruar ai.

Mesazhin e tij, Haziri e ka përmbyllur me fjalët:

“Sepse, UÇK-ja ishte e popullit dhe populli është i UÇK-së.”

15 shtator | 21:00 | Sheshi “Skënderbeu” | Prishtinë.