Verdikti i Hagës, shefi i NATO-s: KFOR do të jetë aty pavarësisht se ç’mund të ndodhë këtë javë në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se KFOR do të jetë në Kosovë për të siguruar paqen dhe sigurinë pavarësisht se çfarë lajmi mund të dalë këtë javë, kur kanë mbetur edhe dy ditë në shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto komente, Rutte i bëri në një…

Lajme

15/09/2026 08:55

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se KFOR do të jetë në Kosovë për të siguruar paqen dhe sigurinë pavarësisht se çfarë lajmi mund të dalë këtë javë, kur kanë mbetur edhe dy ditë në shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këto komente, Rutte i bëri në një konferencë të përbashkët për media me Kryeministrin e Sllovenisë, Janez Jansa, nga Belgjika, pasi që u pyet nga një gazetar i Reuters-it se a janë të shqetësuar “për trazira të mundshme të dhunshme në Kosovë dhe në rajon si rezultat i këtij aktgjykimi, pavarësisht se cili do të jetë rezultati?”.

“Në thelb, pyetja juaj lidhet me arsyen pse KFOR-i është atje. KFOR-i është atje për të siguruar që NATO-ja të kontribuojë në stabilitet dhe paqe. Kjo është bërë ndër vite, siç e dini, duke mundësuar zhvillime të rëndësishme ekonomike dhe sociale”, tha Rutte.

“Dhe tash, për më shumë se dy dekada, kemi një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit në Kosovë. Kjo është e vërtetë edhe sot, dhe do të jetë e vërtetë pavarësisht se çfarë lajmi mund të dalë këtë javë dhe në periudhën që vjen, por edhe kur bëhet fjalë për angazhimin tonë afatgjatë për paqe dhe siguri në Kosovë”, shtoi ai.

Misioni i NATO-s në Kosovë, Rutte theksoi se është aty “për të qëndruar, për sa i përket vlerësimit të vazhdueshëm se cili është konfigurimi më i mirë i KFOR-it dhe se si ai përshtatet më së miri me situatën aktuale”. “Dhe kjo ka të bëjë me Kosovën, por natyrisht ka ndikim edhe në të gjithë rajonin”.

Para disa orësh, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë tha se më 16 shtator disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha në Prishtinë dhe qytete të tjera dhe u bëri thirrje shtetasve amerikanë që t’i shmangin lëvizjet në afërsi të vendeve ku janë paralajmëruar, sipas tyre, protestat.

“Këto demonstrata mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje të rrugëve dhe ndërprerje në trafik”, thanë nga ambasada amerikane.

Të mërkurën e 16 shtatorit, nga ora 10:00, Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale do të shpall aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Krerët e UÇK-së gjenden në qendrën e paraburgimit që nga 5 nëntori i vitit 2020.

Prokuroria e Speciales i akuzon ata për krime të pretenduara lufte dhe ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin.

Nga ana tjetër, të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.