Nagavci reagon pas tërheqjes së Sejdiut nga gara për President: Kosova nuk ka nevojë për bllokada të reja
Shefja e grupit parlamentar te Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas tërheqjes së prof. dr. Bekim Sejdiut nga gara për President të Kosovës. Nagavci ka thënë se tërheqja e Sejdiut përbën humbje për një proces që, sipas saj, do të duhej të sillte në vëmendje personalitete me integritet, profesionalizëm dhe kredibilitet. “Tërheqja e prof.…
Lajme
Shefja e grupit parlamentar te Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas tërheqjes së prof. dr. Bekim Sejdiut nga gara për President të Kosovës.
Nagavci ka thënë se tërheqja e Sejdiut përbën humbje për një proces që, sipas saj, do të duhej të sillte në vëmendje personalitete me integritet, profesionalizëm dhe kredibilitet.
“Tërheqja e prof. dr. Bekim Sejdiut nga gara për President të Republikës është humbje për një proces që do të duhej të sillte në vëmendje personalitete me integritet, profesionalizëm dhe kredibilitet”, ka shkruar Nagavci.
Ajo ka kritikuar klimën politike në vend, duke thënë se në vend që të krijohet hapësirë për personalitete të tilla që dijen dhe përvojën e tyre ta vënë në shërbim të shtetit, po krijohet një situatë që i demotivon ata.
“Fatkeqësisht, në vend që të krijojmë hapësirë për personalitete të tilla që të vënë dijen dhe përvojën e tyre në shërbim të shtetit, po krijohet një klimë politike që i demotivon ata”, ka deklaruar ajo.
Nagavci ka paralajmëruar se përpjekjet për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja mund ta thellojnë edhe më shumë bllokadën institucionale.
“Përpjekja për ta çuar vendin me lehtësi drejt zgjedhjeve të reja po na dërgon nga një bllokadë në tjetrën, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë ndërtimin e një konsensusi që i duhet vendit”, ka shkruar ajo.
Sipas Nagavcit, Kosova nuk ka nevojë për bllokada të reja, por për përgjegjësi dhe stabilitet institucional.
“Kosova nuk ka nevojë për bllokada të reja. Ka nevojë për përgjegjësi, stabilitet institucional dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje”, ka theksuar Nagavci.
Në fund, ajo i ka shprehur respekt dhe mirënjohje Sejdiut për gatishmërinë që, përmes integritetit dhe profesionalizmit të tij, t’i shërbejë Republikës së Kosovës.