Policia takohet me KFOR-in dhe përfaqësues të ambasadave, marrin masa për të ofruar siguri në ditën e vendimit të Gjykatës në Hagë
Policia e Kosovës, ka njoftuar se kanë ndërmarrë masat e nevojshme policore për të ruajtur sigurinë, rendin e qetësinë publike dhe mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve që parashihen të zhvillohen më datë 16 shtator, kur pritet të merret vendimi i Gjykatës Speciale ndaj ish krerëve të UÇK-së. Policia ka thënë se sipas praktikave të mëhershme…
Lajme
Policia e Kosovës, ka njoftuar se kanë ndërmarrë masat e nevojshme policore për të ruajtur sigurinë, rendin e qetësinë publike dhe mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve që parashihen të zhvillohen më datë 16 shtator, kur pritet të merret vendimi i Gjykatës Speciale ndaj ish krerëve të UÇK-së.
Policia ka thënë se sipas praktikave të mëhershme të ndërtuara, me qëllim të mirëmbajtjes dhe avancimit të partneritetit, kur pritet të ketë zhvillime, aktivitete apo tubime publike, menaxhmenti i PK-së mban takime informuese dhe koordinuese me drejtorët e departamenteve, divizioneve dhe drejtorët e drejtorive rajonale, përfshirë edhe takime me partnerë ndërkombëtarë, si: KFOR, EULEX, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, Zyra e BE-së dhe OSBE-ja. Një takim i tillë u mbajt edhe sot në Drejtorinë e Përgjithshme të PK-së, ku u prezantua plani dhe angazhimet policore lidhur me zhvillimet e parapara që ndërlidhen me datën 16 shtator.
“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe legjislacionit në fuqi, do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe do të angazhohet me njësi policore, në mënyrë që mbarëvajtja e të gjitha aktiviteteve dhe zhvillimeve të mundshme të kalojnë të qeta dhe pa incidente. Varësisht nga aktivitetet dhe zhvillimet e mundshme, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura nga aktivitetet, andaj Policia e Kosovës ka paraparë edhe angazhime të njësive policore patrulluese të trafikut, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative”, ka njoftuar Policia.
Ata i kanë bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes dhe të kontribuojnë që aktivitetet të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të sigurt, pasi planifikimi dhe ndërmarrja e masave të sigurisë në rastet kur pritet të ketë zhvillime, aktivitete, apo pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, hartimi dhe implementimi i planeve policore janë pjesë e procedurave të rregullta policore, që shërbejnë në interes të sigurisë së përgjithshme.
“Policia e Kosovës falënderon qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim, siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e aktivitetit janë prioritete të Policisë së Kosovës. Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin kushtetues dhe sigurinë publike në vend”, thuhet mes tjerash në komunikatë. /Lajmi.net/