Bugaqku: Kushtetuesja ka afat deri në 60 ditë për lëndën e PDK-së

Pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) të dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procesit të konstituimit të Kuvendit dhe kërkesës për masë të përkohshme, Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka afat deri në 60 ditë për të marrë vendim lidhur me një…

Lajme

14/09/2026 13:06

Pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) të dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procesit të konstituimit të Kuvendit dhe kërkesës për masë të përkohshme, Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka afat deri në 60 ditë për të marrë vendim lidhur me një kërkesë të tillë.

Bugaqku ka sqaruar se afati prej 60 ditësh llogaritet nga momenti i parashtrimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa sa i përket masës së përkohshme, vendimi varet nga vlerësimi i gjykatës për rrethanat dhe pasojat që mund të shkaktohen.

Sa i përket kërkesës për masë të përkohshme, Bugaqku ka sqaruar se kjo çështje vlerësohet nga kolegji i Gjykatës Kushtetuese, bazuar në rrethanat, faktet dhe pasojat e mundshme.

“Varësisht nga rrethanat, varësisht nga faktet, varësisht nga vlerësimi i dëmeve ose i pasojave që mund të shkaktohen në rast se nuk vendoset masa e përkohshme. Sepse ata e vlerësojnë çështjen në dy anë: ka apo jo nevojë të vendoset masa e përkohshme, apo vendosja e masës së përkohshme është e domosdoshme për të parandaluar dëmet e pariparueshme që mund të shkaktohen në rast se Kuvendi vazhdon të funksionojë edhe këtë javë apo edhe më tutje, po të themi ashtu. Sepse duhet kalkuluar që Kuvendi është funksional derisa të vendosë ndryshe Gjykata Kushtetuese. Pra, edhe vendimet e djeshme janë kushtetuese, ose konsiderohen si të tilla, deri në një vendim kur e vendos ndryshe Gjykata. Pra, nëse vendos me i anulu ato lloj vendimesh. Prandaj edhe çështja e masës së përkohshme vlerësohet në kuptimin e asaj nëse dëmi është i pariparueshëm dhe nëse ka rrezikshmëri të lartë të atillë që efektet që mund të prodhohen janë të dëmshme për interesin e Republikës së Kosovës, ose edhe, të themi ashtu, për cenimin e rendit kushtetues, ose edhe për shkaktimin e ndonjë pasoje e cila nuk mund të riparohet më në kuptimin e asaj që mund të shkaktojë vendimmarrje të atilla që e dëmtojnë edhe interesin publik, por edhe interesin institucional të Republikës së Kosovës”, tha ai për Ekonomia Online.

Bugaqku ka thënë se nuk dëshiron të paragjykojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ka theksuar se KDI ka kërkuar që të sqarohet nëse tejkalimi i afatit kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit prodhon pasoja për legjitimitetin e mandateve dhe ligjshmërinë e legjislaturës.

“Megjithatë, çdo veprim që ndodh në Kuvendin e Kosovës, qoftë për konstituimin e Kuvendit, qoftë për zgjedhjen e Qeverisë apo zgjedhjen e Presidentit, apo dhe vendime të tjera që mund t’i prodhojë ky parlament i konsideruar si i konstituuar pas afatit tridhjetëditor, nevojitet të kemi qartësi kushtetuese. Dhe kjo qartësi është e domosdoshme, dhe për këtë arsye ne kemi kërkuar dhe u kemi bërë thirrje deputetëve, së paku dhjetë prej sosh, kusht ky që vlerësohet, që ta dërgojnë çështjen në Gjykatë Kushtetuese për të marrë sqarimin e asaj që shkelja e afatit tridhjetëditor, definitivisht ka apo jo pasojë për këta deputetë, ka apo jo pasojë për mandatin, legjitimitetin e mandateve, për ligjshmërinë ose të themi ashtu, të komplet legjislaturës së Kuvendit të Kosovës”.

Duke folur për situatën e krijuar pas konstituimit të Kuvendit pa zgjedhjen e nënkryetarit që i takon grupit të dytë parlamentar me më së shumti ulëse, Bugaqku ka thënë se edhe kjo çështje mund të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i ka kërkuar të hënën Gjykatës Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme ndaj Kuvendit të ri derisa ajo të shqyrtojë nëse konstituimi i tij u bë në përputhje me Kushtetutën.

Kuvendi i Kosovës u konstituua të dielën pa zgjedhjen e nënkryetarit të dytë, i cili i takon PDK-së, pasi kjo e fundit nuk mori pjesë në seancë duke e akuzuar pushtetin për shkelje të procesit.

Dy deputetë të kësaj partie, Arian Tahiri, Përparim Gruda, së bashku me avokatin Faton Fetahu, e dërguan ankesën në emër të partisë të hënën në mëngjes.