Haxhiu: Dua të shoh më shumë gra në krye të institucioneve e kompanive

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së vendit, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për më shumë përfaqësim të grave në pozitat udhëheqëse, gjatë përmbylljes së “Javës së Gruas”.Haxhiu tha se gratë e Kosovës kanë dëshmuar aftësitë e tyre në institucione, biznese, sport, kulturë, shkencë dhe fusha të tjera, por ende përballen me pabarazi në vlerësim dhe…

Lajme

14/09/2026 12:48

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së vendit, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për më shumë përfaqësim të grave në pozitat udhëheqëse, gjatë përmbylljes së “Javës së Gruas”.Haxhiu tha se gratë e Kosovës kanë dëshmuar aftësitë e tyre në institucione, biznese, sport, kulturë, shkencë dhe fusha të tjera, por ende përballen me pabarazi në vlerësim dhe mundësi.

Ajo theksoi nevojën që më shumë gra të jenë në krye të listave, komunave, institucioneve dhe kompanive, duke shtuar se avancimi i grave kontribuon edhe në përparimin e shoqërisë.

Postimi i plotë:

Sot, në përmbylljen e Javës së Gruas, pata kënaqësinë të jem mes pjesëmarrëseve dhe pjesëmarrësve të këtij programi, i cili gjatë muajve të fundit ka bërë bashkë gra e burra nga institucionet, komunat, partitë politike, shoqëria civile, mediat dhe komunitete të ndryshme.
Gratë e Kosovës prej kohësh kanë dëshmuar se janë të zonja të udhëheqin, të marrin përsipër përgjegjësi dhe të arrijnë sukses në çdo fushë të jetës. I gjejmë në drejtim të bizneseve, shkollave e institucioneve, në sport, kulturë, shkencë dhe në shumë fusha të tjera, ku puna dhe rezultatet e tyre flasin vetë.
Megjithatë, shumë prej tyre ende duhet të punojnë dyfish për të marrë të njëjtin vlerësim si burrat, dhe këtë pabarazi nuk duhet ta pranojmë si normale. Gratë duhet të vlerësohen për punën dhe aftësinë e tyre dhe të kenë të njëjtat mundësi për të marrë përgjegjësi e për të udhëhequr.
Pikërisht për këtë dua të shoh më shumë gra në krye të listave, në udhëheqjen e komunave, institucioneve e kompanive dhe kudo ku merren vendime që ndikojnë në jetën tonë.
Kur një grua ecën përpara, ajo ua hap rrugën edhe të tjerave, dhe sa më shumë gra që përparojnë, aq më shumë përparon edhe shoqëria jonë.