Paralajmërimi i ambasadës amerikane, KFOR-i deklarohet
Misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, është deklaruar lidhur me paralajmërimet për protestat e mundshme më 16 shtator, ditën kur shpallet aktgjykimi ndaj katërshes së UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Në një përgjigje për Klankosova.tv, KFOR-i thotë se vazhdimisht përshtat dhe rregullon qëndrimin e tij në përputhje me mjedisin e…
Lajme
Misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, është deklaruar lidhur me paralajmërimet për protestat e mundshme më 16 shtator, ditën kur shpallet aktgjykimi ndaj katërshes së UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në një përgjigje për Klankosova.tv, KFOR-i thotë se vazhdimisht përshtat dhe rregullon qëndrimin e tij në përputhje me mjedisin e sigurisë dhe kërkesat operacionale, në mënyrë që misioni ynë të mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e qëllimit të tij.
“Ne nuk komentojmë mbi masat specifike operacionale.
KFOR-i ruan kapacitetet, gatishmërinë dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të zbatuar mandatin e tij afatgjatë të Kombeve të Bashkuara, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”.
Tutje, misioni i Aleancës Veriatlantike thekson se vazhdon të punojë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, ku secili vepron brenda roleve të veta përkatëse si përgjegjës për reagimin në fushën e sigurisë.
“KFOR-i mbetet i përkushtuar për të kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe për garantimin e lirisë së lëvizjes, në përputhje me mandatin e tij afatgjatë të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Marrëdhënie me Publikun e KFOR-it.
Lidhur me zhvillimet e së mërkurës ka reaguar edhe Ambasada e ShBA-së në Kosovë.
Sipas njoftimit, ambasada amerikane kërkon që të shmangen zonat ku do të zhvillohet protesta dhe kërkon që të ketë kujdes nëse dikush gjendet pranë grumbullimeve të mëdha.
Në mesin e thirrjeve të kësaj ambasade, është edhe shmangie e zonave ku mund të ketë grumbullime të mëdha, mundësia e mbylljes së rrugëve dhe pengesave në trafik.