Kurti për Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin: Jemi në ankth, asnjë gjykatë nuk mund ta njollosë UÇK-në
Mandatari për formimin e Qeverisë së re, Albin Kurti, në fjalimin e tij para Kuvendit të Kosovës ka përshëndetur konstituimin e legjislaturës së 11-të dhe ka folur për procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Kurti ka thënë se Kosova po i përcjell me ankth këto ditë, në prag të vendimit…
Lajme
Mandatari për formimin e Qeverisë së re, Albin Kurti, në fjalimin e tij para Kuvendit të Kosovës ka përshëndetur konstituimin e legjislaturës së 11-të dhe ka folur për procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Kurti ka thënë se Kosova po i përcjell me ankth këto ditë, në prag të vendimit në procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
“Ju përgëzoj për konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit. Këto ditë të gjithë jemi në ankth në prag të vendimit të procesit gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi”, ka thënë Kurti.
Ai e ka cilësuar të padrejtë dhe të pabesueshme kërkesën e Prokurorisë në këtë proces, duke thënë se ajo, sipas tij, është në kundërshtim me të vërtetën historike të popullit të Kosovës dhe drejtësinë e luftës çlirimtare.
Kurti ka deklaruar se qëndrimi i Qeverisë që ai ka drejtuar sa i përket luftës në Kosovë ka qenë i qartë.
“Qëndrimi i Qeverisë që unë e drejtova është i njëjtë dhe i qartë. Në Kosovë janë kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid ndaj popullatës civile, ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë nën Millosheviqin”, ka deklaruar ai.
Në fjalimin e tij, Kurti ka theksuar se lufta e UÇK-së nuk mund të njolloset nga vendimet e institucioneve gjyqësore, qofshin ato vendore apo ndërkombëtare.
“Asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në”, ka deklaruar Kurti. /Lajmi.net/