Kuvendi i Kosovës ka përmbyllur procesin e konstituimit të legjislaturës së re, pas zgjedhjes së nënkryetarëve që përfaqësojnë komunitetet.
Nga komuniteti serb, në pozitën e nënkryetares është zgjedhur Tanja Vujoviq, e cila mori 62 vota për, 6 kundër dhe 3 abstenime.
Ndërsa nga komunitetet joshumicë, nënkryetare është zgjedhur Emilija Rexhepi, me 70 vota për dhe 7 abstenime.
Pas përfundimit të votimeve, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka konstatuar se Kuvendi i Republikës së Kosovës konsiderohet i konstituuar.
“Me këtë rast konstatoj se Kuvendi i Republikës së Kosovës konsiderohet i konstituuar. Shihemi në seancën e radhës”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se deputetët do të njoftohen për formimin e grupeve parlamentare.
Me përfundimin e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve, Kuvendi ka përmbyllur seancën konstituive të legjislaturës së re.