Gjini për VV-në: Qëllimi ishte ta mbërrinin datën e sotme, tashmë qytetarët e dinë kush është mashtrues e manipulator

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar atë si një skenar të kalkuluar nga Vetëvendosje. Ky reagim i kryetarit të Aleancës vjen pas komunikatës së VV-së që tha se kanë ndërruar qëndrim dhe nesër i votojnë nënkryetarët e subjekteve tjera. Gjini ka deklaruar…

Lajme

13/09/2026 09:56

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar atë si një skenar të kalkuluar nga Vetëvendosje. Ky reagim i kryetarit të Aleancës vjen pas komunikatës së VV-së që tha se kanë ndërruar qëndrim dhe nesër i votojnë nënkryetarët e subjekteve tjera.

Gjini ka deklaruar se qëllimi i Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë që të arrihet data 27 dhjetor, duke nisur nga sot afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe më pas afati deri në 45 ditë për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Ju kemi thënë, po e ndjekin datën 27 dhjetor. Prej sot, 60 ditë afat për zgjedhje të presidentit, plus deri në 45 ditë zgjedhjet. Tash e ka 27 dhjetorin që e ka kërkuar”, ka thënë Gjini.

Ai ka theksuar se, sipas tij, problemi nuk ka qenë me emrat e propozuar për çështje institucionale, duke përmendur Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën, por me arritjen e afatit të sotëm.

“Nuk kanë pasur problem as me Vlora Çitakun as me Kujtim Shalën, as me ‘popullin serb’. Problemi ka qenë me e mbërri datën e sotme. Afatin”, është shprehur ai.

Gjini ka kritikuar gjithashtu qasjen politike të pushtetit, duke thënë se qytetarët tashmë e kanë kuptuar, sipas tij, se bëhet fjalë për mashtrim dhe manipulim.

“Tashmë qytetarët e dinë se është mashtrues e manipulator”, ka deklaruar kryetari i Aleancës.

Në fund, Gjini ka thënë se Aleanca nuk i frikësohet zgjedhjeve dhe ka bërë thirrje që ato të mbahen nëse ky është vullneti politik.

“Nëse doni, shkojmë në zgjedhje! Mos u frikësoni prej zgjedhjeve!”, ka përfunduar Gjini. /Lajmi.net/