Avokati Berisha reagon për rastin e Besart Ahmetit: E vërteta nuk ka nevojë për zhurmë, por për prova
Avokati Besnik Berisha ka reaguar përmes një postimi të gjatë në Facebook lidhur me rastin e kapitenit të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti. Berisha ka thënë se për disa ditë kanë zgjedhur të mos reagojnë, pavarësisht, siç pretendon ai, se për Ahmetin janë bërë deklarime dhe akuza publike. Sipas tij, heshtja ka ardhur për shkak…
Lajme
Avokati Besnik Berisha ka reaguar përmes një postimi të gjatë në Facebook lidhur me rastin e kapitenit të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti.
Berisha ka thënë se për disa ditë kanë zgjedhur të mos reagojnë, pavarësisht, siç pretendon ai, se për Ahmetin janë bërë deklarime dhe akuza publike. Sipas tij, heshtja ka ardhur për shkak të respektimit të procedurave institucionale dhe bindjes se të vërtetën duhet ta përcaktojnë provat dhe jo deklaratat publike.
Avokati ka pretenduar se për rastin ekzistojnë dëshmitarë, pamje nga kamerat e sigurisë dhe materiale audiovizuale, të cilat, sipas tij, mundësojnë verifikimin e dinamikës së ngjarjes.
Berisha ka thënë gjithashtu se Ahmeti, sipas versionit të mbrojtjes, ishte jashtë detyrës dhe me familjen e tij në një qendër tregtare kur ka ndodhur incidenti, ndërsa më pas e kishte denoncuar rastin dhe kishte bashkëpunuar me institucionet.
Ai ka kërkuar që të hetohen të gjitha pretendimet e ngritura lidhur me rastin dhe që deklaratat e palëve të ballafaqohen me provat materiale, duke theksuar se çështja duhet të trajtohet nga institucionet dhe jo përmes debatit publik.
Në fund, Berisha ka thënë se heshtja e deritanishme nuk duhet të interpretohet si mungesë faktesh apo pranim i versionit të paraqitur publikisht.
Më poshtë, statusi i plotë i Besnik Berishës:
“Heshtja ka kuptim vetëm për aq kohë sa nuk keqpërdoret për t’i dhënë zë gënjeshtrës.
Për disa ditë kemi zgjedhur të heshtim, edhe atëherë kur për Kapitenin Besart Ahmeti është thënë pothuajse gjithçka, edhe atëherë kur nga i sulmuar është portretizuar si sulmues, nga denoncues si i denoncuar, e nga një njeri që ka kërkuar ndërhyrjen e Policisë, si dikush që thuhet se paska kanosur, sharë, fyer e lënduar të tjerët.
Kemi heshtur jo pse na kanë munguar përgjigjet dhe aq më pak provat, por sepse kemi besuar se e vërteta për një ngjarje që është objekt hetimi nuk përcaktohet nga ai që arrin i pari të mikrofoni, as nga ai që e përsërit më së shumti versionin e vet, por nga faktet dhe provat që i nënshtrohen verifikimit institucional.
Kam qenë personalisht me Kapitenin Besart Ahmeti edhe gjatë paraqitjes së tij në Inspektoratin Policor të Kosovës, ku ka dhënë rrëfimin e tij për të vërtetën dhe ka demantuar më së miri gënjeshtrën. Kemi mundur të prononcohemi atë ditë, sikurse kemi mundur të flasim edhe shumë më herët, por qëllimisht nuk e kemi bërë. Nuk kemi dashur që betejën për ligj dhe drejtësi ta zhvillojmë në media, e as që një incident, për të cilin ekzistojnë prova të parrezueshme, ta shndërrojmë në garë deklaratash, ku secili ndërton versionin që i përshtatet dhe pastaj pret që numri i titujve ta bëjë atë të vërtetë.
Mirëpo, ajo që ka ndodhur ditëve të fundit e ka bërë të domosdoshme që të flasim, qoftë edhe vetëm një herë.
Në opinion është ndërtuar një histori e cila, në pjesët thelbësore të saj, bie ndesh me realitetin dhe provat që ekzistojnë për ngjarjen. Janë dhënë deklarime, janë ngritur akuza, janë prezantuar pretendime për kanosje, sharje, fyerje e lëndime, ndërsa Kapiteni Besart Ahmeti është vendosur pothuajse në bankën e të akuzuarit publik, para se të jetë parë e dëgjuar ajo që, fatmirësisht për të vërtetën, nuk varet vetëm nga kujtesa, interesi apo versioni i asnjërës palë.
Kjo ngjarje ka dëshmitarë që nuk kanë arsye të gënjejnë, kamerat e sigurisë dhe videot e siguruara gjatë ngjarjes.
Ekzistojnë pamje nga vendi i ngjarjes dhe material audiovizual që mundëson të shihet dinamika e incidentit, të dëgjohet komunikimi dhe të verifikohet sjellja e personave të përfshirë. Pikërisht për këtë arsye, në vend se të numërohen deklaratat e dhëna pas ngjarjes, do të ishte shumë më e ndershme që secili të presë se çfarë tregojnë provat për atë që ka ndodhur në të vërtetë.
Kapiteni Besart Ahmeti atë ditë nuk ishte në detyrë, nuk ishte në uniformë dhe nuk ishte duke ushtruar autoritet policor. Ishte qytetar, me rroba civile, në një qendër tregtare, bashkë me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij. Në ato rrethana, sipas provave që ka mbrojtja, ai u sulmua, u provokua dhe u fye në prezencë të familjes, në mënyrën më të egër të mundshme.
Ajo që bëri më pas është ndoshta pjesa që më së miri e rrëzon portretin që po tentohet t’i ndërtohet sot.
Kapiteni Besart Ahmeti nuk e mori drejtësinë në duart e veta, ndonëse, si zyrtar policor, e njeh shumë më mirë se një qytetar i zakonshëm mënyrën se si duhet vepruar në situata të tilla. Ai bëri pikërisht atë që ligji kërkon nga secili prej nesh kur pretendon se është viktimë e një vepre penale. E denoncoi rastin, kërkoi që personat e përfshirë të mos largoheshin nga vendi i ngjarjes deri në ardhjen e Policisë, priti organet kompetente, dha deklaratën e tij, bashkëshortja e tij dha deklaratën e saj, ofroi provat që kishte në dispozicion dhe iu nënshtrua procedurës.
Nuk kërkoi privilegj nga grada dhe as mbrojtje nga uniforma. Kërkoi mbrojtjen e ligjit.
Ajo që pasoi është arsyeja pse sot jemi të detyruar të reagojmë. Pas denoncimit erdhi kundërdenoncimi, ndërsa pas incidentit filluan të shfaqen versione dhe pretendime që, sipas vlerësimit tonë dhe provave që disponojmë, nuk përputhen me atë që ka ndodhur në vendin e ngjarjes. Mbi këto deklarime është ndërtuar pastaj një narrativë publike, e cila po tenton ta bëjë të dyshimtë denoncuesin vetëm pse denoncoi dhe ta viktimizojë për herë të dytë vetëm pse nuk heshti e nuk pranoi ta përpijë atë që i kishte ndodhur.
Nuk kemi ndërmend t’i shpallim të pavërteta pretendimet vetëm pse vijnë nga pala tjetër. Këtë do ta bëjnë provat. Por, me të njëjtën vendosmëri, nuk do të lejojmë që deklarimet të trajtohen si fakte të provuara vetëm pse janë përsëritur mjaftueshëm në publik.
As kallëzimi penal nuk është aktgjykim, as deklarata nuk është e vërtetë e gjykuar, sikurse as një raport mjekësor i siguruar pas ngjarjes nuk e provon vetvetiu se kush e ka shkaktuar një lëndim, kur është shkaktuar ai, me çfarë mekanizmi dhe në çfarë rrethanash është shkaktuar. Lidhja ndërmjet një pasoje dhe personit të cilit synohet t’i atribuohet ajo provohet, nuk supozohet. Kaq kërkon ligji dhe pikërisht kaq duhet të kërkojë edhe një hetim serioz.
Më shqetësuese se krejt kjo është përpjekja që kësaj historie t’i vishet uniforma e Policisë së Kosovës, sikur këtu të ekzistonte një konflikt ndërmjet një qytetari dhe institucionit. Nuk ekziston.
Policia e Kosovës është shumë më e madhe se Kapiteni Besart Ahmeti, shumë më e madhe se personat e tjerë të përfshirë në këtë rast dhe shumë më e madhe se çdo përpjekje për ta përdorur emrin e saj si strehë për versionin e cilësdo palë. Pikërisht pse e respektojmë atë institucion, nuk do të lejojmë që emri i tij të përdoret për ta përbaltosur një pjesëtar të tij para se të flasin provat. Policia nuk mbrohet duke mbrojtur një polic nga e vërteta, por as duke e sakrifikuar një polic për hir të një narrative publike. Mbrohet vetëm duke e kërkuar të vërtetën, cilado qoftë ajo.
Kapiteni Besart Ahmeti nuk kërkon imunitet nga hetimi dhe as trajtim të privilegjuar.
Përkundrazi, kërkojmë që të hetohet çdo pretendim i ngritur ndaj tij, deri në detajin e fundit. Por, me të njëjtin rigorozitet, kërkojmë të hetohet edhe sulmi që ai ka denoncuar, të verifikohet secili deklarim i dhënë pas ngjarjes, të përcaktohet koha, origjina dhe mekanizmi i secilit lëndim që pretendohet, të krahasohen deklaratat me njëra-tjetrën dhe, mbi të gjitha, të ballafaqohen të gjitha me atë që tregojnë pamjet dhe zëri nga vendi i ngjarjes.
Një hetim i tillë nuk na shqetëson. Përkundrazi, insistojmë në të, pasi kur ekziston mundësia që deklarata e personit të ballafaqohet me atë që kanë regjistruar kamerat, e vërteta nuk ka nevojë as për zhurmë, as për mbiemra, as për grada dhe as për ndërmjetës.
Prokuroria është e lirë dhe e detyruar ta hetojë çdo dyshim që vlerëson se duhet hetuar. IPK-ja po ashtu. Mbrojtja do të bashkëpunojë me secilin institucion dhe do të respektojë çdo veprim të ligjshëm të tyre. Por respekti ndaj institucioneve nuk na obligon të heshtim kur një pretendim fillestar nis të trajtohet në publik si e vërtetë përfundimtare. Prokuroria heton, provat verifikohen dhe gjykata vendos. Deri atëherë, askush nuk ka të drejtë ta përmbys këtë rend përmes titujve, deklaratave apo presionit publik.
Këto pak fjalë nuk i shkruaj për ta transferuar çështjen nga institucioni në Facebook. Përkundrazi, i shkruaj që ta kthej aty ku e ka vendin, te provat.
Deri sot kemi heshtur nga respekti për ligjin dhe procedurën. Nëse dikush këtë heshtje e ka kuptuar si mungesë faktesh, si dobësi apo, edhe më keq, si pranim të historisë që është ndërtuar ndërkohë, ka gabuar rëndë.
Ne e dimë çfarë është thënë për Kapitenin Besart Ahmeti. I kemi dëgjuar akuzat dhe i kemi lexuar titujt.
Por, për dallim nga ata që kanë zgjedhur ta tregojnë ngjarjen sipas një versioni të shpikur, ne kemi zgjedhur ta provojmë atë siç ka ndodhur në të vërtetë.
Ky dallim, në fund, do të jetë vendimtar.” /Lajmi.net/