Gërvalla dënon nderimet për Mlladiqin në Beograd: Kjo është tallje me Evropën
Zëvendëskryeministrja në detyrë dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar ashpër pas ceremonisë së zhvilluar në Beograd për përcjelljen e trupit të ish-komandantit të forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Në një postim, Gërvalla ka kritikuar pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë shtetërorë…
Lajme
Zëvendëskryeministrja në detyrë dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar ashpër pas ceremonisë së zhvilluar në Beograd për përcjelljen e trupit të ish-komandantit të forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Në një postim, Gërvalla ka kritikuar pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë shtetërorë serbë dhe përfaqësuesve të tjerë në ceremoninë e varrimit, duke e cilësuar atë si rehabilitim politik të një personi të dënuar nga drejtësia ndërkombëtare, transmeton lajmi.net.
Ajo ka theksuar se Mlladiq “vdiq në qeli, sepse aty e kanë vendin kriminelët”, ndërsa ka renditur zyrtarët që, sipas saj, morën pjesë në ceremoninë në Beograd.
“Dhe shkoi ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiq, i njëjti njeri që javë më parë premtoi publikisht ‘nderime të larta shtetërore dhe ushtarake’ për një person që një gjykatë e Kombeve të Bashkuara e dënoi për gjenocid”, ka shkruar Gërvalla.
Duke folur në cilësinë e ministres në detyrë të Drejtësisë, ajo ka kërkuar që ministri serb i Drejtësisë të mos jetë pjesë e tryezave ndërkombëtare ku diskutohet për drejtësinë.
“Po e them si Ministre e Drejtësisë, dhe po e them troç: ky njeri nuk duhet kurrë më të lejohet të ulet në asnjë tryezë ku përmendet fjala drejtësi.
Jo në Bruksel. Jo në Berlin. Jo në Strasburg. Askund!”, është shprehur ajo.
Gërvalla ka drejtuar kritika edhe ndaj Bashkimit Evropian, duke kërkuar që Brukseli të mbajë qëndrim më të ashpër ndaj Serbisë dhe të mos tolerojë veprimet që, sipas saj, bien ndesh me vlerat evropiane.
“Bashkimi Evropian nuk duhet të vazhdojë të jetë i shurdhër dhe i verbër ndaj Serbisë. Problemi nuk është më se çfarë bën Beogradi, por sa gjatë Brukseli do të vazhdojë ta tolerojë atë”, ka shkruar Gërvalla.
Sipas saj, toleranca e vazhdueshme ndaj Serbisë ka kontribuar në krijimin e një klime ku mohimi i gjenocidit dhe glorifikimi i personave të dënuar për krime të rënda vazhdojnë të shfaqen publikisht.
Gërvalla ka bërë edhe një krahasim mes retorikës së Bashkimit Evropian dhe zhvillimeve në Serbi.
“Në Bruksel flasin për Kapitullin 23. Në Beograd shtinë krisma nderi mbi arkivolin e një krimineli të gjenocidit”, ka shkruar ajo.
Ajo e ka cilësuar ceremoninë si të papajtueshme me rrugën evropiane të Serbisë.
“Kjo nuk është rrugë drejt Evropës. Kjo është tallje me Evropën”, ka deklaruar Gërvalla, duke shtuar se veprimet e tilla po zhvillohen hapur dhe me përfshirjen e strukturave shtetërore.
Në fund të reagimit, ministrja në detyrë e Drejtësisë ka thënë se nderimi shtetëror i Mlladiqit është “fyerje ndaj viktimave, përbuzje ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe akt i hapur i rehabilitimit politik të një ideologjie kriminale”.
“Këtë e dënojmë fuqishëm. E dënojmë pa ekuivok. Dhe nuk do ta normalizojmë kurrë”, ka shkruar ajo, duke e mbyllur reagimin me thirrjen që viktimat të mos harrohen.
“Jo për hir të politikës. Për hir të drejtësisë. Për hir të viktimave. Dhe për hir të së vërtetës. Viktimat kurrë nuk duhet t’i harrojmë. Kurrë!”./lajmi.net/