Mësimi tërëditor në Prishtinë nis me dilema e diskutime

Mësimi tërëditor në kryeqytet ka nisur zyrtarisht, por jo pa dilema e diskutime të mëdha mes prindërve. Sivjet këtë reformë e zbatojnë gjithsej 16 shkolla në Prishtinë, katër nga të cilat po e testojnë për herë të parë. Mirëpo, një dokument ku prindërve u kërkohet deklarimi paraprak nëse fëmijët e tyre do të qëndrojnë në…

Lajme

07/09/2026 23:28

Mësimi tërëditor në kryeqytet ka nisur zyrtarisht, por jo pa dilema e diskutime të mëdha mes prindërve. Sivjet këtë reformë e zbatojnë gjithsej 16 shkolla në Prishtinë, katër nga të cilat po e testojnë për herë të parë.

Mirëpo, një dokument ku prindërve u kërkohet deklarimi paraprak nëse fëmijët e tyre do të qëndrojnë në shkollë pas orarit të rregullt, ka ngritur pikëpyetje të mëdha. A duhet të jetë ky model i detyrueshëm apo gjithçka po lihet në vullnetin e prindërve?

Me nisjen e vitit të ri shkollor, në 16 shkolla të Prishtinës ka nisur zbatimi i modelit të mësimit tërëditor, ku katër prej tyre po e aplikojnë këtë reformë për herë të parë. Përtej rëndësisë së kësaj nisme, zbatueshmëria e modelit të ri shkollor në kryeqytet po shoqërohet me qëndrime dhe diskutime të ndryshme gjatë këtij viti.

Ky dokument, ku prindërve u kërkohet të deklarohen paraprakisht nëse fëmijët e tyre duan të qëndrojnë në shkollë edhe pas përfundimit të mësimit të rregullt, në shkollat ku po zbatohet mësimi tërëditor, ngre edhe pikëpyetje mbi zbatimin e këtij modeli, nëse mësimi tërëditor do të duhet të ishte obligues dhe i zbatueshëm, apo çështje e vullnetit të prindërve për të kontribuar rreth zbatimit të plotë në këtë proces.

Jehona Oruqi, drejtoreshë e shkollës fillore “Faik Konica”, sqaron se deklarimi i prindërve është rezultat i kërkesës së tyre për të përmbushur aktivitetet jashtashkollore, dhe nuk ndikon në tërheqjen nga koncepti i mësimit tërëditor.

Ndërkohë drejtoria komunale e arsimit vë në pah formati i kësaj deklarate ende nuk është konfirmuar nga drejtoria.

“Është i pa miratuar nga unë si drejtor i arsimit, prandaj dhe kam kërkuar tërheqjen e tij dhe trajtimin në mënyrë të rregullt të një formulari. Në rastet kur një prind dëshiron që ta largojë fëmijën, ta marrë fëmijën, atëherë kjo të bëhet me një deklaratë të tillë. Pra, kjo duhet të ndodhë gjatë procesit mësimor, jo në rrethanat që kanë ndodhur aktualisht”, tha Arianit Elshani, drejtor i Arsimit në Prishtinë.

E shkolla e gjelbër, për të tretin vit zbaton me sukses këtë reformë.

“Sipas statistikave dhe analizave të cilat i kemi bërë, ka një ngritje, po sivjet e kemi më ndryshe për shkak se mësimi bazë do të mbahet në fillim, ndërsa pas procesit mësimor do të zhvillohen aktivitetet. Ka qenë le të thërrasim edhe për prindërit të cilët dihet që dikush është dashur të merret me fëmijët e tyre pas procesit të mësimor”, tha Besart Ismajli, drejtor në “Shkolla e Gjelbër”.

Megjithatë, përveç mësimit tërëditor, sfidë në arsim që nga fillimi i këtij procesi është edhe mungesa e ditarëve.

Drejtoria Komunale e Arsimit tha se nesër pritet shpërndarja e tyre./RTK