Gjini ia zbulon planet Kurtit: Po e lajthit popullin, po i ndjek këto dy data për zgjedhje – me të takohem veç në studio televizive

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka kritikuar ashpër kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe çështjen e zgjedhjeve të reja. Gjini tha se Kurti është duke shqyrtuar dy data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa pretendoi se qytetarët po mbahen në pasiguri për shkak…

Lajme

04/09/2026 17:05

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka kritikuar ashpër kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe çështjen e zgjedhjeve të reja.

Gjini tha se Kurti është duke shqyrtuar dy data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa pretendoi se qytetarët po mbahen në pasiguri për shkak të veprimeve të tij, transmeton lajmi.net.

“Ai do dy data me i gjetë: ose 22 nëntorin, ose 27 dhjetorin. Është t’u iu njekë datat. Edhe është t’u e lajthitë gjithë popullin”, deklaroi Gjini në një konferencë për media.

Kreu i AAK-së u ndal edhe te thirrja e seancës së Kuvendit më 9 shtator, për të cilën tha se përbën shkelje të rëndë të rregullave kushtetuese.

“Ajo që e kemi pa sot, që do të thotë, thirrja e seancës me datën 9 shtator, është edhe një shkelje brutale e normës edhe e bindjes kushtetuese, por edhe e vetë Kushtetutës”, u shpreh ai.

Sipas Gjinit, mënyra se si po zhvillohen këto procese përbën, siç tha ai, keqpërdorim të institucioneve dhe të mandatit politik.

“Kjo është me u tallë me shtetin, me u tallë me qytetarët, është një mënyrë me abuzu skajshëm me gjithçka që shteti i ofron dikujt që i fiton zgjedhjet”, tha Gjini.

Ai argumentoi se partitë politike kanë toleruar situatën deri më tani me synimin për të mos e mbyllur plotësisht mundësinë e një zgjidhjeje institucionale.

“Shumica dërrmuese prej nesh, mos të them të gjithë, e kemi ditë që edhe para 30 ditësh ka pasë shkelje të Kushtetutës, mirëpo, kemi besu që duhet me e mbajtë një rrugë çelë që Kosova mos me dalë jashtë çdo vije kushtetuese, mos me u kthy në pikën zero”.

Gjini akuzoi Kurtin se ka marrë vendime për zgjatjen e situatës institucionale dhe se, sipas tij, edhe këto vendime janë shoqëruar me shkelje.

“Ajo që ka ndodhë sot është që një person, vetëm, që i ka zaptu institucionet në mënyrë të paligjshme, i cili është toleru nga të gjitha partitë politike, me ia caktu vetvetes edhe 30 ditë, edhe këto 30 ditë që i ka caktu vetë, i ka shkelë”, deklaroi ai.

Kreu i AAK-së tha se zhvillimet e fundit e kanë vështirësuar një zgjidhje normale politike dhe u bëri thirrje edhe LDK-së e PDK-së që të reflektojnë për veprimet e tyre.

“Kosova tashmë është vetëm jashtë normave të rregullimit të vet kushtetues. Kjo është anarki, thënë ma së buti. Është anarki”, theksoi Gjini.

Ai paralajmëroi gjithashtu se pasojat e krizës aktuale mund të jenë afatgjata për vendin.

“Këta njerëz do të mbahen mend si superkriminelët ma të mëdhenj në historinë e Kososvës, me i përdorë termat e tyre. Këta po e dëmtojnë të ardhmen e vendit tonë, këta po krijojnë precedentë të cilat po ju premtoj, që një ditë do të përfundojnë, mirëpo do të na duhet tepër shumë kohë me dalë prej krizës dhe prej katrahurës të cilën tashmë e kanë shkaktu”.

Në fund, Gjini përsëriti qëndrimin e tij se opozita nuk duhet të bëhet pjesë e asaj që ai e cilësoi si shkelje kushtetuese.

“Mendoj që edh dy partitë e tjera politike të cilat kanë qenë në opozitë deri tani duhet të mendojnë të mos bëhen pjesë e kësaj shkeljeje brutale kushtetuese, e kësaj nxjerrjeje të Kosovës nga binarët e zhvillimit të vet”, shtoi ai.

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se nuk planifikon të takohet me kreun e LVV-së, Albin Kurti.

Megjithatë, ai thotë se do të takohej me të në një studio televizive.

“Nuk e kam në plan me u taku me zotin Kurti qysh po kërkon ai, por do të takohesha me Kurtin në studio live për të parë e dëgjuar secili qytetar se çfarë kam për t’i thënë. Unë kam shumë për t’i thënë. Jam shumë i gatshëm për një takim të tillë, s’ka nevojë as letër me më çu. Por nuk e kam në plan me i shku në takim në një zyrë që nuk është e tij”, u shpreh Gjini.

Sipas tij, veprimet e Kurtit kanë ngushtuar hapësirën për një marrëveshje politike dhe institucionale.

“Sot, Kurti nuk ka lënë rrugë për zgjidhje normale dhe kushtetuese në Kosovë. I ka mbyllë të gjitha rrugët për me bisedu për të ardhmen e vendit, po dëshiron me e caktu vetë datën e zgjedhjeve përmes shkeljeve të njëpasnjëshme kushtetuese”, përfundoi Gjini./lajmi.net/