Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me Marshin për Liri, duke thënë se frika e Beogradit nuk lidhet me protestat në Kosovë, por me zhvillimet në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Përmes një reagimi në Facebook, Çitaku ka deklaruar se Serbia, sipas saj, shqetësohet nga mundësia e një verdikti që mund të sjellë lirimin e ish-drejtuesve të UÇK-së, transmeton lajmi.net.
Ajo ka argumentuar se ajo që e shqetëson më shumë Serbinë është fakti që Kosova, si një popull i vogël, arriti të përballet me shtetin serb dhe të dalë si shtet i pavarur.
Çitaku e ka cilësuar luftën e UÇK-së si një përpjekje për liri dhe mbijetesë, ndërsa ndërhyrjen e NATO-s e ka përshkruar si një veprim për t’i dhënë fund katastrofës humanitare në Kosovë.
Sipas saj, zhvillimet historike që çuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës nuk mund të ndryshohen përmes propagandës apo deklaratave politike.
Në fund të reagimit, Çitaku ka theksuar se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, duke e mbyllur mesazhin e saj me thirrjen: “Kosova është e lirë. Move on.”
Postimi i plotë:
Vuçiq paska thënë se e frikëson Marshi për Liri.
Deksha n’lloç.
Ty, Serbinë e armiqtë e Kosovës nuk ju frikëson marshi. Ju frikëson verdikti në Hagë.
Juve ju frikëson e ju tmerron fakti i pamohueshëm se një popull i vogël, të cilin jo vetëm që jeni përpjekur ta shfarosni, por edhe e keni përbuzur politikisht e kulturalisht, ju ka mundur.
Kosova është shtet.
E pavarur.
Sovrane.
E lirë.
Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë. Luftë për liri e mbijetesë. NATO ka ndërhyrë për të na dalë në ndihmë dhe për t’i dhënë fund një katastrofe humanitare.
Këtë histori nuk e zhbëni dot. As me propagandë, as me viktimizim, as me frikë nga marshet tona.
Kosova është e lirë.
Move on.
/lajmi.net/