Kadrijaj, në një prononcim për media, tha se Kosova po përballet me ngecje në shumë fusha, ndërsa përgjegjësinë për këtë situatë është e kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
“Përderisa në çdo sektor kemi ngecje, ne po ballafaqohemi edhe me probleme të tjera. Një njeri që i ka fituar zgjedhjet, nuk po i kthen institucionet, nuk po e konstituon Kuvendin dhe e ka çuar vendin në një bllokadë. Ndërkohë, fëmijët po përballen me probleme në sigurimin e teksteve shkollore, si pasojë e komplikimeve që i ka shkaktuar Ministria e Arsimit. Shkollat e kanë filluar procesin mësimor pa ditarë, ndërsa problemet vazhdojnë.
Në anën tjetër, pacientët po përballen me mungesë të barnave në Onkologji dhe në sektorë të tjerë, duke u detyruar t’i blejnë vetë, ndonëse e dimë se kostoja e tyre është e lartë. Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë prej vitesh nuk ka hapur konkurse për pranimin e specializantëve, të cilët kërkojnë të avancohen në fushën e shëndetësisë dhe të ofrojnë trajtimet përkatëse”, ka thënë Kadrijaj.