Ja kush është Dirk Schuebel, ambasadori i ri i BE-së në Kosovë

Diplomati gjerman Dirk Schuebel ka nisur mandatin si ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, duke marrë njëkohësisht detyrën e shefit të Zyrës së BE-së dhe Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian në vend. Sipas një biografie të tij, të dërguar nga BE, del se Schuebel vjen në Kosovë pas një karriere të gjatë diplomatike, të…

Lajme

02/09/2026 15:04

Diplomati gjerman Dirk Schuebel ka nisur mandatin si ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, duke marrë njëkohësisht detyrën e shefit të Zyrës së BE-së dhe Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian në vend.

Sipas një biografie të tij, të dërguar nga BE, del se Schuebel vjen në Kosovë pas një karriere të gjatë diplomatike, të përqendruar kryesisht në politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, me përvojë të veçantë në raportet me Rusinë dhe vendet e Partneritetit Lindor, një iniciativë kjo e BE-së, e nisur në vitin 2009, për të forcuar marrëdhëniet politike dhe ekonomike me këto gjashtë vende të Evropës Lindore dhe Kaukazit Jugor – Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia, Armenia, Azerbajxhani dhe Bjellorusia

Para marrjes së detyrës në Kosovë, nga korriku i vitit 2024 deri në gusht 2026, ai ishte shef i Divizionit për Rusinë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm. Të njëjtën pozitë e kishte mbajtur edhe nga viti 2018 deri më 2019.

Schuebel ka pas vetes edhe dy mandate si ambasador. Nga viti 2019 deri më 2022 ishte ambasador i BE-së dhe shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Bjellorusi, ndërsa nga viti 2009 deri më 2013 e kishte ushtruar këtë detyrë në Moldavi.

Nga viti 2022 deri më 2024, diplomati gjerman shërbeu si i dërguar i posaçëm i BE-së për Partneritetin Lindor.

Ndërmjet viteve 2013 dhe 2018, ai drejtoi divizionin e BE-së përgjegjës për marrëdhëniet dypalëshe me Ukrainën, Bjellorusinë, Moldavinë, Gjeorgjinë, Azerbajxhanin dhe Armeninë.

Më herët në karrierën e tij, Schuebel ishte shef i Seksionit Politik, të Shtypit dhe Informimit në Delegacionin e BE-së për Ukrainën dhe Bjellorusinë në Kiev, ku shërbeu edhe si zëvendës i shefit të delegacionit.

Ai ka mbajtur gjithashtu disa pozita në Komisionin Evropian, duke punuar në fushat e tregtisë, zgjerimit, transportit dhe energjisë.

Para se t’u bashkohej institucioneve evropiane, Schuebel punoi në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, ku u mor me marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare, tregtinë e jashtme dhe promovimin e saj.

Schuebel ka diplomë në Tregti të Jashtme dhe Marrëdhënie Tregtare Ndërkombëtare nga Hochschule für Ökonomie Berlin.

Ai ka lindur në vitin 1965 në Zëickau të Gjermanisë. Përveç gjermanishtes, flet anglisht, frëngjisht, spanjisht, rusisht, holandisht dhe italisht.

Schuebel është i martuar dhe ka një vajzë.

Me marrjen e mandatit në Kosovë, ai ka deklaruar se synon të mbështesë të ardhmen evropiane të vendit, reformat dhe angazhimin konstruktiv në dialogun me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ai ka bërë thirrje gjithashtu për formimin e shpejtë të institucioneve funksionale, në mënyrë që Kosova të mund t’i shfrytëzojë mundësitë nga Plani i Rritjes i BE-së dhe financimet e ardhshme.