Pozicionimi i KFOR-it, NATO vlerëson situatën e sigurisë në Kosovë
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka nisur përshtatjen e pozicionimit dhe pranisë së tij në terren, pas përmirësimit të situatës së sigurisë në vend. Sipas njoftimit të Aleancës Veriatlantike, ndryshimet synojnë që KFOR-i të përshtatet me rrethanat aktuale dhe të jetë i pozicionuar në mënyrën më të përshtatshme për të përmbushur mandatin e…
Lajme
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka nisur përshtatjen e pozicionimit dhe pranisë së tij në terren, pas përmirësimit të situatës së sigurisë në vend.
Sipas njoftimit të Aleancës Veriatlantike, ndryshimet synojnë që KFOR-i të përshtatet me rrethanat aktuale dhe të jetë i pozicionuar në mënyrën më të përshtatshme për të përmbushur mandatin e tij.
Procesi po zhvillohet nën udhëheqjen e komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, dhe në koordinim të ngushtë me autoritetet dhe palët relevante.
“NATO po punon për të siguruar që misioni ynë paqeruajtës në Kosovë, KFOR, të jetë i optimizuar për mjedisin aktual, duke pasur parasysh përmirësimet në situatën e sigurisë”, thuhet në njoftimin e Aleancës Veriatlantike.
NATO vlerëson se këto përshtatje janë rezultat i progresit të bërë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Megjithatë, Aleanca thekson se ndryshimet në pozicionimin dhe praninë e KFOR-it varen nga zhvillimet në terren dhe mund të rishikohen nëse situata e sigurisë e kërkon.
“Ky proces bazohet në kushte dhe mund të kthehet mbrapsht, nëse kjo vlerësohet e nevojshme”, thuhet tutje në njoftim.
Aleanca ka ritheksuar përkushtimin e saj për sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe për ruajtjen e stabilitetit në rajon, duke nënvizuar se prania e KFOR-it do të përshtatet në përputhje me situatën e sigurisë në terren.