​Meta gjobitet me 567 milionë dollarë në vendimin më të madh për sigurinë e fëmijëve

Një gjykatës në shtetin amerikan të Nju Meksikos ka urdhëruar kompaninë Meta të paguajë edhe 567 milionë dollarë (421 milionë funte) për dështimin e saj në paralajmërimin e publikut për rreziqet që platformat e saj paraqesin për fëmijët. Ky konsiderohet vendimi më i madh i dhënë ndonjëherë kundër kompanisë lidhur me sigurinë e fëmijëve. Gjykatësi…

Auto & Tek

07/08/2026 14:54

Një gjykatës në shtetin amerikan të Nju Meksikos ka urdhëruar kompaninë Meta të paguajë edhe 567 milionë dollarë (421 milionë funte) për dështimin e saj në paralajmërimin e publikut për rreziqet që platformat e saj paraqesin për fëmijët. Ky konsiderohet vendimi më i madh i dhënë ndonjëherë kundër kompanisë lidhur me sigurinë e fëmijëve.

Gjykatësi Bryan Biedscheid e cilësoi gjigantin e rrjeteve sociale si një “bezdi publike”, të krahasueshme me ndotjen e ajrit, duke urdhëruar që shuma të vendoset në një fond të dedikuar për zvogëlimin e dëmeve të ngjashme në të ardhmen, shkruan BBC.

Vendimi i së enjtes i shtohet gjobës prej 375 milionë dollarësh që Meta ishte urdhëruar të paguante më herët në të njëjtën çështje, duke e çuar shumën totale në 942 milionë dollarë.

Në arsyetimin e tij, gjykatësi e krahasoi Metën me një fabrikë, ku reklamat dhe përmbajtja janë produkti, ndërsa “dëmtimi psikologjik dhe shfrytëzimi seksual i fëmijëve janë ndotja që duhet eliminuar”.

Një zëdhënës i Metës, kompania që zotëron dhe operon Instagramin, Facebookun, WhatsAppin dhe Threads, deklaroi se kompania nuk pajtohet me vendimin dhe do ta apelojë atë.

“Ne punojmë vazhdimisht për t’i mbajtur njerëzit të sigurt në platformat tona dhe kemi qenë transparentë për sfidat në identifikimin dhe largimin e personave me qëllime të këqija dhe të përmbajtjes së dëmshme. Ne mbetemi të bindur në rezultatet tona për mbrojtjen e adoleshentëve në internet dhe do të vazhdojmë të mbrohemi ndaj pretendimeve që shtrembërojnë faktet”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Edhe pas vendimit të mëparshëm për gjobën prej 375 milionë dollarësh, Meta kishte bërë të ditur se do ta apelonte vendimin, duke dhënë një shpjegim të ngjashëm. Ajo çështje shënoi herën e parë që një shtet amerikan fitoi një padi kundër Metës për çështje që lidhen me sigurinë e fëmijëve.

Meta aktualisht përballet me mijëra padi në Shtetet e Bashkuara për pretendime të ngjashme. Përveç vendimeve në Nju Meksiko, kompania humbi më herët gjatë këtij viti edhe një çështje gjyqësore në Los Anxhelos, ku u ngritën akuza të ngjashme.