Kurti: Kemi reflektuar ndaj kritikave, këtë herë s’konstituojmë asnjë institucion pa dakordim
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka folur para mediave në lidhje me vendimin që ka marrë sot për të mos propozuar kandidat për kryetar të Kuvendit pa një marrëveshje politike. Ai ka thënë se këtë vendim e ka marrë pas kritikave që partitë e tjera ia kanë dhënë në pranverën e këtij viti.…
Lajme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka folur para mediave në lidhje me vendimin që ka marrë sot për të mos propozuar kandidat për kryetar të Kuvendit pa një marrëveshje politike.
Ai ka thënë se këtë vendim e ka marrë pas kritikave që partitë e tjera ia kanë dhënë në pranverën e këtij viti.
“Së pari edhe udhëheqësit e LDK-së por edhe deputetë të tjerë të LDK-së, kanë deklaruar se duhet të merremi vesh për të gjitha. Edhe publikisht në emisionet tek ju kanë thënë se duhet të merremi vesh për të gjitha. Ju e mbani mend se në pranverën e këtij viti më patën kritikuar mua se e zgjodhëm kryetarin e Kuvendit, e zgjodhëm Qeverinë pa u takuar me ta. Ne kemi reflektuar dhe vepruar ndryshe kësaj radhe. Kësaj radhe asnjë institucion nuk po e konstituojmë pa u takuar.”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se këtë veprim në fillim të 2026-tës e ka marrë për shkak të buxhetit të Kosovës që kërkonte sipas tij të ishin shumë më efikas dhe ekspeditiv.
Kurti ka thënë se i ka mbajtur shënim të gjitha kritikat që i kanë dhënë kundërshtarët e tij politik gjatë këtij viti, dhe sipas tij tani po i përfill ato.
“Unë dua bashkëpunim, prandaj marr iniciativa, komunikojmë por unë mund të kem lajme të reja për juve kur kemi marrëveshje. Aktualisht takimet me LDK-në nuk janë lajme, lajm do të ishte marrëveshja. Por më duhet ta pranoj që takimet me PDK-në dhe AAK-në do të ishin lajm dhe unë uroj që të kemi lajme të tilla sepse ato janë të mira”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se janë në komunikim të drejtpërdrejt me LDK-në.
“Sa më herët që mund të ecim përpara aq më mirë, por duhet ta kuptoni që këto nuk janë gjëra të thjeshta dhe nga përvoja e këtyre 16 muajve duhet të lëvizim çdo guralec që t’i evitojmë zgjedhjet e reja. Serioziteti dhe përgjegjësia institucionale dhe politike sot, e ka vetëm një përkufizim, evitimi i edhe një palë zgjedhjeve të panevojshme”, ka shtuar Kurti. /Lajmi.net/