Janjiq: Asociacion nuk ka, status të veçantë për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë po
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të interesuara që ta shkëpusin Kishën ortodokse Serbe nga ndikimi i Moskës dhe ta afrojnë atë me kishën greke dhe me Partikanën Ekumenike në Stamboll, që është institucioni më i vjetër dhe më prestigjioz i Kishës Ortodokse Lindore dhe e cila është e ndarë nga Kisha Ortodokse Ruse.…
Lajme
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të interesuara që ta shkëpusin Kishën ortodokse Serbe nga ndikimi i Moskës dhe ta afrojnë atë me kishën greke dhe me Partikanën Ekumenike në Stamboll, që është institucioni më i vjetër dhe më prestigjioz i Kishës Ortodokse Lindore dhe e cila është e ndarë nga Kisha Ortodokse Ruse.
Kështu thotë historian dhe njohësi i rrethanave politike, etnike dhe religjioze në Ballkan, Dushan Janjiq.
Themeluesi i forumit për marrëdhënie etnike thotë në një intervistë për KosovaPress se në frymën e këtij projekti të madh gjeopolitik, Amerika është duke kërkuar ta rregullojë edhe statusin e Kishës ortodokse serbe në Kosovë.
Sipas tij, kjo po bëhet në kuadër të një dialogu shpirtëror për të cilin ai insiston se tashmë ka nisur,
“Ambicia gjeopolitike është që Kisha Ortodokse Serbe të shkëputet nga ndikimi i Moskës, ose të forcohet në raport me atë ndikim, dhe të fuqizojë bashkëpunimin me Greqinë dhe Patriarkanën Ekumenike… Trump ka një ambicie të madhe lidhur me këtë dialog dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë. Sigurisht që llogaritet edhe në mbështetjen e Patriarkut Ekumenik, të cilin e dekoroi disa javë më parë dhe pikërisht atëherë përmendi rolin e tij edhe në Ballkan. Po ashtu, është i rëndësishëm edhe roli i Papës. Pse? Sepse pas gjithë kësaj qëndron një lëvizje gjeopolitike: të zvogëlohet ndikimi i Kishës Ortodokse Ruse në Serbi. Për të mos e zgjatur, po them se janë në zhvillim shumë procese pozitive që nuk duken, sepse opinioni publik vazhdon të jetë i përqendruar te rrëfimi i vjetër për njohjen ndërkombëtare”, tha ai.
Janjiq thotë se diskutimet ndërkombëtare me përfshirjen e amerikanëve, po synojnë t’i japin kishës një status të ngjashëm me ekstraterritorialitetin, në Kosovë. Ky model, për të cilin ai thotë se është i ngjashëm me autonominë universitare, do të garantonte liri të plotë lëvizjeje për klerikët dhe mbrojtje të aseteve, pa ndërhyrjen e autoriteteve qendrore të Prishtinës. Madje, siç thotë ai, flitet edhe për hapjen e institucioneve të pavarura arsimore brenda kishës, të financuara dhe mbrojtura sipas modeleve perëndimore.
Janjiq thotë se qasja e qeverisë së Kosovës dhe kufizimet nga autoritetet e kësaj të fundit ndaj klerikëve kishtarë, shihen si vendime të gabuara politike që kërkojnë rishikim të menjëhershëm
“Kisha Ortodokse Serbe, njësoj si Kisha Katolike, duhet të ketë një shkallë ekstraterritorialiteti. Çfarë do të thotë kjo? Brenda kishës duhet të ekzistojë autonomi në raport me autoritetet lokale, por jo që ajo të punojë kundër ligjit sepse ligji i përcakton kufijtë e veprimtarisë së Kishës. Ligji është ligj, por nuk mund të kufizohet liria e lëvizjes së murgjve dhe priftërinjve apo të merret prona. Kjo është diçka që duhet të zgjidhet me këtë status dhe për këtë ka bazë në Pakon e Ahtisaarit. Është bërë përparim në këto bisedime. Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi kanë bërë shumë, sidomos për çështjen e pronave të Manastirit të Deçanit. Ka njëfarë përparimi edhe në këtë drejtim po shkohet. Po shkohet drejt pranimit të autonomisë në aspektin statusor, por jo që ti të vendosësh nëse do të kenë përcjellje kur janë të rrezikuar, e aq më pak të vendosësh nëse mund të hyjnë apo jo. Pikërisht këtu është abuzuar, por kjo është një vendimmarrje politike, një vendim i gabuar, madje një nga vendimet e këqija të Kurtit. Prandaj, kjo është një nga kërkesat që tashmë i është paraqitur edhe Departamentit Amerikan të Shtetit dhe presidentit Trump, që kjo masë të shfuqizohet”.
Janjiq la të kuptohet se në lidhje më këtë do të ketë një përfshirje edhe më të madhe të administratës amerikane, e cila do të sjellë disa zyrtarë të saj të lartë në Kosovë, në gusht ndërsa shtoi se Uashingtoni nuk është aspak i interesuar për kërkesën e themelimit të asociacionit të komunave m shumicë serbe në Kosovë
“Nuk ka asgjë nga Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Ai do të krijohet si një Këshill Kombëtar Serb, ashtu siç e kanë boshnjakët në Serbi, ashtu siç e kanë edhe shqiptarët përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar, të udhëhequr nga Shaip Kamberi. Nuk do të merrni një shtet brenda shtetit”, tha ai.
Në fillim të korrikut ka qëndruar në Kosovës pastori amerikan dhe këshilltari joformal i Donald Trump, Mark Burns. I shoqëruar nga Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije ai vizitoi Patriarkanën e Pejës, Manastirin e Deçanit dhe Graçanicën.
Burns tha se këtë vizitë nuk e bëri në cilësinë e një përfaqësuesi zyrtar të Shteteve të Bashkuara, negociatori apo të dërguari për çështjen e statusit të Kishës Ortodokse Serbe e as për ndonjë çështje tjetër politike.
Ai deklaroi se e ardhja e tij kishte karakter shpirtëror ndërsa shtoi se shqetësimet që dëgjoi lidhur me liritë fetare do t’ia përcjellë Departamentit Amerikan të Shtetit.