Pas kallëzimit penal nga VV, lajmërohet Shefi i Kabinetit të Përparim Ramës, Florent Maliqi: Pretendimet për korrupsion janë fabrikim, do t’i ndjekim ligjërisht përgjegjësit

Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Prishtinës, Florent Maliqi, ka mohuar akuzat për korrupsion të publikuara së fundmi, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe pjesë të një fushate të organizuar për ta dëmtuar. Në një deklaratë për opinionin, Maliqi tha se “pretendimet për korrupsion dhe bisedat e tjera të publikuara janë tërësisht të…

Lajme

01/08/2026 22:25

Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Prishtinës, Florent Maliqi, ka mohuar akuzat për korrupsion të publikuara së fundmi, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe pjesë të një fushate të organizuar për ta dëmtuar.

Në një deklaratë për opinionin, Maliqi tha se “pretendimet për korrupsion dhe bisedat e tjera të publikuara janë tërësisht të pavërteta, qesharake dhe pjesë e një fushate të ulët denigruese që synon të dëmtojë integritetin tim personal dhe institucional.”, transmeton lajmi.net.

Ai theksoi se do të bashkëpunojë me organet e drejtësisë dhe se pret që rasti të zbardhet plotësisht.

“Në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë dhe institucionet kompetente, pres zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje, përfshirë identifikimin e personave që qëndrojnë prapa këtij fabrikimi, denigrimi dhe linçimi publik,” u shpreh Maliqi.

Shefi i kabinetit të Përparim Ramës paralajmëroi gjithashtu veprime ligjore ndaj të gjithë atyre që, sipas tij, kanë marrë pjesë në krijimin dhe shpërndarjen e këtyre pretendimeve.

“Do të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe do të angazhohem pa asnjë kompromis që ky fabrikim i ulët të zbardhet deri në fund dhe që secili person i përfshirë në organizimin, fabrikimin dhe shpërndarjen e këtyre pretendimeve të mbajë përgjegjësi para drejtësisë,” deklaroi ai.

Në fund të reagimit, Maliqi shprehu keqardhje për pasojat që, sipas tij, ka shkaktuar publikimi i këtyre materialeve.

“Shpreh keqardhjen time për të gjithë ata që janë prekur dhe dëmtuar nga ky fabrikim i qëllimshëm, i ndërtuar me synimin për të linçuar, denigruar dhe manipuluar opinionin publik,” thuhet në deklaratë.

Reagimi i Maliqit vjen pasi më 30 korrik Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj tij dhe disa zyrtarëve të kabinetit të Komunës së Prishtinës, duke ngritur dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me disa procese komunale.

Sipas Vetëvendosjes, kallëzimi bazohet në një sinjalizim anonim që përmban materiale dhe komunikime të pretenduara, ku flitet për legalizime të kundërligjshme dhe shuma parash. Në materialet e publikuara në rrjetet sociale pretendohet se në një komunikim mes Maliqit dhe një personi tjetër përmendet marrja e parave për legalizimin e një objekti në Prishtinë, si dhe veprime të kryera në interes të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. Autenticiteti i këtyre komunikimeve nuk është konfirmuar dhe pretendimet nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Një ditë pas dorëzimit të kallëzimit penal reagoi edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili deklaroi se e mirëpret faktin që çështja i është referuar Prokurorisë dhe se Komuna do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë.

Deklarata e plotë e Florent Maliqit: 

Pretendimet për korrupsion dhe bisedat e tjera të publikuara janë tërësisht të pavërteta, qesharake dhe pjesë e një fushate të ulët denigruese që synon të dëmtojë integritetin tim personal dhe institucional. Në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë dhe institucionet kompetente, pres zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje, përfshirë identifikimin e personave që qëndrojnë prapa këtij fabrikimi, denigrimi dhe linçimi publik. Do të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe do të angazhohem pa asnjë kompromis që ky fabrikim i ulët të zbardhet deri në fund dhe që secili person i përfshirë në organizimin, fabrikimin dhe shpërndarjen e këtyre pretendimeve të mbajë përgjegjësi para drejtësisë. Shpreh keqardhjen time për të gjithë ata që janë prekur dhe dëmtuar nga ky fabrikim i qëllimshëm, i ndërtuar me synimin për të linçuar, denigruar dhe manipuluar opinionin publik./lajmi.net/