Beqiri: Për LDK-në, vendi i dytë dhe i tretë janë fyerje – partia ka nevojë për ndryshim
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, ka shprehur pritjen që Kuvendi i Jashtëzakonshëm i partisë të përfundojë me forcimin e LDK-së, derisa tha se vendimi për shkarkimin e kryetarit aktual do të merret nga delegatët përmes votimit. “Mendoj se ky Kuvend do të shkojë mirë. Statuti i LDK-së parasheh format se si…
Lajme
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, ka shprehur pritjen që Kuvendi i Jashtëzakonshëm i partisë të përfundojë me forcimin e LDK-së, derisa tha se vendimi për shkarkimin e kryetarit aktual do të merret nga delegatët përmes votimit.
“Mendoj se ky Kuvend do të shkojë mirë. Statuti i LDK-së parasheh format se si thirret një kuvend dhe kjo është njëra nga ato forma, me një të tretën e votave. Ne presim që nga ky Kuvend LDK-ja të dalë më e fortë. Kuvendi është thirrur për shkak të mospajtimit me gjendjen në të cilën ndodhemi”, tha ai.
Beqiri u shpreh se rezultatet e fundit zgjedhore nuk janë të kënaqshme për LDK-në.
“Për LDK-në, vendi i dytë dhe i tretë është fyerje dhe ne do të bëjmë çmos që këtë gjendje ta ndryshojmë”, deklaroi ai.
I pyetur nëse kryetari aktual do të shkarkohet, Beqiri tha se këtë do ta vendosë vota e delegatëve.
Ndërkaq sipas Beqirit, fokusi i Kuvendit nuk është emri i pasuesit të mundshëm të kryetarit aktual.
“Nuk e di. Vota do ta vendosë. Unë e kam thënë publikisht mendimin tim. Jam i bindur se LDK-ja ka nevojë për ndryshime, në mënyrë që të ecim përpara dhe të kemi rezultate më të mira”, u shpreh ai.