Dushi “shfryhet” në Abdixhikun: Tri zgjedhjet e fundit kanë deklaruar se LDK-ja nuk po rritet – i ka përndjekur e ndëshkuar ata që mendojnë ndryshe

Rezultatet e dobëta zgjedhore, veprimet jostatutare të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, si dhe trajtimi ndaj atyre që mendojnë ndryshe, janë tri arsyet që, sipas anëtarit të kësaj partie, Florian Dushi, kanë rënduar gjendjen brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës. Duke folur në “Debat Plus” ne TV Dukagjini pas pyetjes së analistit Ylli Hoxha se cili…

Lajme

29/07/2026 21:21

Rezultatet e dobëta zgjedhore, veprimet jostatutare të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, si dhe trajtimi ndaj atyre që mendojnë ndryshe, janë tri arsyet që, sipas anëtarit të kësaj partie, Florian Dushi, kanë rënduar gjendjen brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Duke folur në “Debat Plus” ne TV Dukagjini pas pyetjes së analistit Ylli Hoxha se cili është motivi për largimin e kryetarit aktual të LDK-së, Dushi ka thënë se këto janë tri arsyet që kanë shtyrë një pjesë të delegatëve të kërkojnë mbledhjen e Kuvendit të partisë.

“Praktikisht, nëse flasim për motivet, mund të flasim për rezultatin e dobët të Lidhjes Demokratike të Kosovës. E dyta janë veprimet jostatutare të Abdixhikut dhe e fundit përndjekja e ndëshkimi ndaj atyre që mendojnë ndryshe”, ka deklaruar Dushi.

Sipas tij, këto zhvillime kanë krijuar nevojë për një proces të ri brenda partisë.

“Këto janë tri arsyet që kanë rënduar gjendjen në LDK dhe prandaj jemi në një pikë në të cilën një pjesë e madhe e delegatëve, gjysma kanë nënshkruar dhe kanë kërkuar të mblidhet kuvendi e t’i hapet dera ndryshimit”, ka thënë ai.

Dushi ka theksuar se kërkesa për ndryshim nuk lidhet me procesin fillestar të zgjedhjes së Abdixhikut, duke kujtuar se ai ishte zgjedhur në një proces demokratik.

“Është e rëndësishme të thuhet që Abdixhiku është zgjedhur në një kuvend tejet demokratik, në një garë që ka pasur më shumë se një kandidat, me votë të fshehtë. Ka marrë dy të tretat e atij kuvendi dhe një mbështetje të konsiderueshme”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se pas zgjedhjes së Abdixhikut, strukturat e LDK-së kishin mbështetur idetë dhe reformat e tij.

“Për gjitha idetë reformuese, veprimet dhe ndërmarrjet brenda LDK-së, strukturat iu janë nënshtruar pozitivisht dhe janë bërë pjesë e atyre që Abdixhiku ka pasur pro dhe rreth LDK-së”, është shprehur Dushi.

Sipas tij, një periudhë pozitive për partinë kishte qenë edhe pas zgjedhjeve lokale, ku përmendi rezultatin e mirë dhe fitoren e Përparim Ramës në Prishtinë.

Megjithatë, Dushi ka thënë se tri zgjedhjet e fundit kanë treguar se LDK-ja nuk ka arritur të rritet.

“Tri zgjedhjet e fundit kanë deklaruar se LDK-ja nuk po rritet dhe kanë filluar debatet, interpretimet rreth rezultatit të dobët të LDK-së”, ka përfunduar ai.