Varreza masive në Zubin Potok, reagon Gërvalla: Nuk mund të ketë fqinjësi të mirë pa drejtësi, e vërteta nuk mund të varroset përgjithmonë

Zëvendëskryeministrja në detyrë dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz ka reaguar pasi vizitoi lokacionin ku u gjet një varrezë masive në fshatin Kalludër, në Zubin Potok. Zëvendëskryeministrja tha se me Serbinë nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa të vërtetën dhe nuk mund të ketë fqinjësi të mirë pa drejtësi, transmeton lajmi.net.…

Lajme

29/07/2026 17:02

Zëvendëskryeministrja në detyrë dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz ka reaguar pasi vizitoi lokacionin ku u gjet një varrezë masive në fshatin Kalludër, në Zubin Potok.

Zëvendëskryeministrja tha se me Serbinë nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa të vërtetën dhe nuk mund të ketë fqinjësi të mirë pa drejtësi, transmeton lajmi.net.

“Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa të vërtetën, nuk mund të ketë fqinjësi të mirë pa drejtësi dhe nuk mund të ketë harresë përballë krimeve të kryera. Kujtesa, e vërteta dhe drejtësia do të mbeten udhërrëfyesit tanë deri në zbardhjen e fatit të personit të fundit të zhdukur.”, shkroi ajo ndër të tjera në postimin e saj.

Postimi i plotë:

Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa të vërtetën, nuk mund të ketë fqinjësi të mirë pa drejtësi dhe nuk mund të ketë harresë përballë krimeve të kryera.

Sot vizitova lokacionin ku është konfirmuar varreza masive në fshatin Kalludër, në Zubin Potok. Përcolla nga afër procesin e zhvilluar deri më tani, si dhe hapat e ndërmarrë në kuadër të përpjekjeve institucionale për zbardhjen e së vërtetës dhe trajtimin me seriozitet të plotë të çdo informacioni që lidhet me fatin e personave të zhdukur. Çdo gjë është duke u zhvilluar me profesionalizëm dhe me përkushtim.

Falënderova ekipet që po punojnë në terren dhe riafirmova përkushtimin tim për të ofruar çdo mbështetje institucionale dhe profesionale, në mënyrë që ky proces të vazhdojë pa vonesa dhe sipas standardeve më të larta vendore e ndërkombëtare.

Çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit mbetet një nga plagët më të rënda të luftës dhe një nga dëshmitë më të qarta të krimeve të kryera nga shteti gjenocidal serb. Përveç mijëra civilëve të pafajshëm, regjimi i atëhershëm serb shënjestroi qëllimisht edhe elitën intelektuale, akademike e profesionale të Kosovës, në përpjekje për të goditur vetë identitetin, kujtesën dhe të ardhmen e popullit tonë. Më pas, përmes zhvendosjes dhe fshehjes së trupave në varreza masive, u përpoq të fshinte gjurmët e këtyre krimeve. Por e vërteta nuk mund të varroset përgjithmonë.

Çdo lokacion i ri që hetohet, çdo mbetje mortore që ekzaminohet dhe çdo identitet që rikthehet është një hap më pranë drejtësisë. Nuk bëhet fjalë vetëm për një proces mjeko-ligjor, por për rivendosjen e së vërtetës historike, përballjen me krimet e së kaluarës dhe respektimin e dinjitetit të viktimave dhe familjeve të tyre.

Republika e Kosovës nuk do të ndalet derisa të mos jetë zbardhur fati i secilit person të zhdukur me dhunë. Ky është një obligim institucional, ligjor dhe moral, por njëkohësisht edhe një detyrim ndaj historisë dhe brezave që vijnë. Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa të vërtetën, nuk mund të ketë fqinjësi të mirë pa drejtësi dhe nuk mund të ketë harresë përballë krimeve të kryera. Kujtesa, e vërteta dhe drejtësia do të mbeten udhërrëfyesit tanë deri në zbardhjen e fatit të personit të fundit të zhdukur./lajmi.net/