Haxhiu: Vuçiqi dhe Bërnabiq po vazhdojnë gjuhën e Millosheviqit, SHBA-ja dhe BE-ja ta dënojnë këtë retorikë

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, duke i cilësuar ato si vazhdim të gjuhës së mohimit, urrejtjes dhe propagandës së regjimit të Slobodan Millosheviqit. Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha se, derisa qytetarët e Kosovës ende…

Lajme

29/07/2026 18:55

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, duke i cilësuar ato si vazhdim të gjuhës së mohimit, urrejtjes dhe propagandës së regjimit të Slobodan Millosheviqit.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha se, derisa qytetarët e Kosovës ende presin zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, zyrtarët serbë vazhdojnë të mohojnë shtetësinë e Kosovës dhe të ripërsërisin pretendimet territoriale ndaj saj, shkruan lajmi.net.

Sipas saj, Serbia nuk mund të pretendojë se është e përkushtuar ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve, përderisa nuk hap arkivat për personat e zhdukur, nuk bashkëpunon për zbardhjen e krimeve të luftës dhe vazhdon ta trajtojë Kosovën si territor të vetin.

Haxhiu theksoi se përballja me të kaluarën dhe respektimi i sovranitetit të shteteve fqinje janë parakushte për paqe të qëndrueshme në rajon.

Ajo rikujtoi se Republika e Kosovës është shtet i pavarur që nga 17 shkurti 2008 dhe se në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Sipas Haxhiut, Kosova është njohur nga 121 shtete, është anëtare e dhjetëra organizatave dhe mekanizmave ndërkombëtarë dhe vazhdon ta forcojë pozitën e saj në arenën ndërkombëtare.

Në reagimin e saj, ushtruesja e detyrës së Presidentes u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që ta dënojnë qartë, siç e quajti ajo, gjuhën shoviniste, revizioniste dhe nxitëse të zyrtarëve serbë.

“Republika e Kosovës është shtet sovran dhe demokratik, i ndërtuar mbi vullnetin e qytetarëve të saj dhe i orientuar drejt integrimit euroatlantik. As Vuçiqi, as Bërnabiqi dhe asnjë ideologji e dështuar e së kaluarës nuk mund ta zhbëjnë këtë realitet”, ka shkruar Haxhiu. /Lajmi.net/