Raportohet për të shtëna me armë ndaj ekipit të KRU “Mitrovica” në fshatin Pantinë të Vushtrrisë, i dyshuari në arrati

Një incident i rëndë ka ndodhur sot në fshatin Pantinë të Komunës së Vushtrrisë, ku, sipas burimeve ekskluzive të Mitropol, një person i dyshuar ka shtënë me armë zjarri pasi punëtorët e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” kishin ndërprerë një kyçje ilegale të tij në rrjetin e ujësjellësit. Sipas informacioneve që Mitropol ka siguruar nga…

Lajme

29/07/2026 16:55

Një incident i rëndë ka ndodhur sot në fshatin Pantinë të Komunës së Vushtrrisë, ku, sipas burimeve ekskluzive të Mitropol, një person i dyshuar ka shtënë me armë zjarri pasi punëtorët e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” kishin ndërprerë një kyçje ilegale të tij në rrjetin e ujësjellësit.

Sipas informacioneve që Mitropol ka siguruar nga burime të sigurta, tre punonjës të KRU “Mitrovica” kishin shkuar në Pantinë për të kryer shkyçjen e një konsumatori që dyshohet se ishte i kyçur ilegalisht në rrjetin e furnizimit me ujë.

Pas përfundimit të këtij aksioni, ekipi kishte vazhduar kontrollin edhe në një shtëpi tjetër në zonë. Mirëpo, gjatë kthimit, rruga e tyre dyshohet se është bllokuar me veturë nga personi që ishte shkyçur nga rrjeti.

Burimet e Mitropol bëjnë të ditur se i dyshuari ka dalë me veturë, ua ka bllokuar rrugën punëtorëve dhe më pas ka shtënë me armë zjarri në ajër.

Fatmirësisht, asnjëri nga tre punonjësit nuk ka pësuar lëndime.

Të njëjtat burime kanë konfirmuar për Mitropol se punëtorët ndodhen aktualisht në stacion policor duke dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin.

Ndërkohë, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe mbetet në arrati.

Sipas informacioneve Policia gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes ka gjetur gëzhoja që lidhen me përdorimin e armës së zjarrit. Më pas është kryer edhe bastisje në shtëpinë e personit të dyshuar, por aty nuk është gjetur ndonjë armë. Dyshohet se ai e ka marrë armën me vete gjatë arratisjes. /Mitropol

Image