AKK: Qytetarët nuk kompensohen me fotografi, kërkohet kompensimi i menjëhershëm i dëmeve nga vërshimet
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka shprehur shqetësim të thellë për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e fundit në komunat e vendit. AKK ka kërkuar nga institucionet qendrore kompensimin e menjëhershëm të dëmeve dhe themelimin e një Fondi Emergjent për Komunat. “Është e papranueshme që, ndërsa komunat dhe qytetarët po përballen me dëme të…
Lajme
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka shprehur shqetësim të thellë për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e fundit në komunat e vendit.
AKK ka kërkuar nga institucionet qendrore kompensimin e menjëhershëm të dëmeve dhe themelimin e një Fondi Emergjent për Komunat.
“Është e papranueshme që, ndërsa komunat dhe qytetarët po përballen me dëme të reja, një pjesë e madhe e dëmeve nga vërshimet e vitit 2023 dhe të janarit 2026 ende nuk janë kompensuar. Qytetarët nuk kanë nevojë për vizita dhe fotografi, por për mbështetje konkrete dhe kompensim të drejtë e të shpejtë”, thuhet në reagim.
AKK bën të ditur se komunat kanë përfunduar vlerësimin e dëmeve dhe kanë përmbushur obligimet e tyre, duke shtuar se tani është përgjegjësi e institucioneve qendrore të veprojnë pa vonesa.
Bordi i Asociacionit ka përsëritur kërkesën për kompensimin e menjëhershëm të dëmeve nga vërshimet e vitit 2023 dhe të janarit 2026, ndarjen e fondeve urgjente për komunat e prekura nga vërshimet e fundit, si dhe themelimin e Fondit Emergjent për Komunat si mekanizëm i përhershëm për reagim të shpejtë ndaj fatkeqësive natyrore.
“Ka ardhur koha për veprime konkrete. Qytetarët nuk kompensohen me fotografi, por me vendime dhe mbështetje reale”, përfundon reagimi i AKK-së.