Pa konsensus për presidentin, rritet rreziku i zgjedhjeve të reja
Kosova gjendet sërish përballë sfidës së formimit të institucioneve të reja, pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit. Edhe pse vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme pasi partitë politike nuk u dakorduan për zgjedhjen e presidentit, një marrëveshje politike për këtë çështje ende nuk duket. Arbërie Nagavci, ish-shefe e Grupit arlamentar të LVV-së, thotë për RTK,…
Lajme
Kosova gjendet sërish përballë sfidës së formimit të institucioneve të reja, pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit. Edhe pse vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme pasi partitë politike nuk u dakorduan për zgjedhjen e presidentit, një marrëveshje politike për këtë çështje ende nuk duket.
Arbërie Nagavci, ish-shefe e Grupit arlamentar të LVV-së, thotë për RTK, se Lëvizja Vetëvendosje mbetet e përkushtuar për krijimin e institucioneve të reja dhe funksionale, duke përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit.
“Ushtruesja e detyrës së Presidentes do ta thërrasë seancën brenda afatit kushtetues dhe pres që të gjithë deputetët e zgjedhur të kësaj legjislature do t’i marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, në përputhje me mandatin që ua kanë besuar qytetarët. Jam e bindur se Kosova ka gra dhe burra me integritet, të denjë për postin e Presidentit/es. Nevojitet vetëm vullnet politik për ta funksionalizuar këtë pozitë, për t’i dhënë vendit institucionet që i meriton dhe për të siguruar stabilitet institucional në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës”, tha Arbërie Nagavci, deputete nga LVV.
Nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk pati deklarime për televizionin.
Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, bëri të ditur se për RTK, se subjekti i saj ende nuk ka marrë ndonjë ftesë për takim nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, shtyrja e seancës konstituive do të ishte e mirëpritur vetëm nëse shërben për t’u dhënë kohë partive të arrijnë një marrëveshje politike, e cila do të siguronte jo vetëm formimin e institucioneve, por edhe zgjedhjen e presidentit, duke shmangur një cikël të ri zgjedhor. Jakaj thotë se vonesa e seancës konstituive do të kishte kuptim vetëm nëse do të zhvilloheshin negociata intensive për një marrëveshje politike.
“Nga zhvillimet politike që i kemi parë, veçanërisht te Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi te ajo është parë çelësi i arritjes së një marrëveshjeje politike, përfshirë edhe AAK-në, e cila ka deklaruar se i ka disa kushte, vërehet se gjasat janë që të jemi përballë një situate të njëjtë si në dy palë zgjedhjet e kaluara, ku nuk ka vota të mjaftueshme për ta zgjedhur presidentin, nuk ka marrëveshje politike dhe, rrjedhimisht, do të shkojmë në zgjedhje të reja, të cilat mbahen sipas afateve kushtetuese”, tha Naim Jakaj nga IKD.
Edhe Instituti Demokratik i Kosovës nuk sheh sinjale optimiste. Sipas KDI-së, klima aktuale politike nuk lë shumë hapësirë për një marrëveshje ndërmjet partive parlamentare.
“Ne konsiderojmë se vonesat e mëtejshme nuk janë të arsyeshme dhe fakti që ka negociata mes partive politike nuk e pengon që ato të vazhdojnë edhe pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, sepse negociatat bëhen për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit. Siç duket, edhe subjekti fitues është duke pritur zhvillimet në LDK dhe, mbase, pasi të përfundojë Kuvendi i LDK-së, do të dihet më qartë nëse do të ketë apo jo hapësirë që të krijohet një marrëveshje mes fituesit të zgjedhjeve dhe Lidhjes Demokratike, për aq sa është përfolur se janë të interesuar për të bashkëqeverisur”, tha Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Me afrimin e afatit kushtetues, mbetet të shihet nëse partitë politike do të arrijnë kompromisin e nevojshëm për formimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit, apo vendi do të hyjë sërish në një cikël të ri zgjedhor.